29 Shtator, 2023 - 9:03 am
Në vazhdën e punëve të përditshme në funksion të mirëmbajtjes dhe përmirësimit të sinjalistikës së pasurive kulturore, specialistët e DRTK Shkodër kanë përfunduar vendosjen e panelit informativ dygjuhësh në objektin Kisha e “Shën Gjinit”, Monument Kulture, Kategoria l, e shpallur si e tillë në vitin 1977.
Kisha e “Shën Gjinit” gjendet në Gruemirë të Malësisë së Madhe.
Referuar të dhënave arkivore por dhe përmasave të objektit, kemi të bëjmë me një manastir që i përkiste Urdhrit Benediktin.
Një dokument i parë i vitit 1166 përmend abatin e kishës Sancti Johannis (Shën Gjonit në Rash të Poshtëm). Abacia gëzonte në mesjetë mbrojtjen e dinastëve të Drishtit dhe më vonë të Republikës së Venedikut.
Në një tjetër burim të kohës që mban vitin 1356, shkruhet se Ipeshkvi i Balesiumit (Balleza, Rrjoll) merr si dhuratë Manastirin Benediktin të Shën Gjinit në Rrash, pasi pas vdekjes së abatit të fundit Andreas, ai kishte mbetur vakant. Po ashtu në mesin e shek. XIV cilësohet si një manastir i dëmtuar nga skizmatikët dhe tokat përreth tij bashkë me kishën e braktisur i kalojnë Ipeshkvit të Balesiumit (Ballez).
Ndërsa një dekret i senatit venedikas i vitit 1403 tregon se liron nga të dhjetat tokat e Abacisë së Shën Gjinit.
Në vitin 1628 manastiri u braktis përfundimisht. Valiu i Shkodrës, Abdi Pasha, në vitin 1856 e shpalli tokë shtetërore dhe ndaloi dy besimet e tjera të kryenin shërbesa aty, ndërsa sot kisha vjen si kujtesë historike./ atsh / KultPlus.com