4 Prill, 2018 - 9:22 pm
Shqiptar Oseku
110 000 njerëz u dëbuan me dhunë nga 740 vendbanime prej Nishit e teposhtê, për t’u sajuar ajo që Beogradi asokohe e quante zyrtarisht “Serbia e Re”. Pastrimi final u bë në dhjetor 1878, ku mijëra kufoma fëmijësh, pleqsh e grash mbushën hendeqet skaj rrugëve të golgotës. Midis tyre ishin dhe kufomat e nënës dhe katër vëllezërve e motrave minorene të gjyshit tim, dëbuar nga qyteza e Vranjës.
Gjyshi im, i vetmi mbijetues nga farefisi, u rrit në Gjakovë nga një tjetër familje ikanakësh që kish shpëtuar. Ai u mbiquajt Ahmet Muhaxheri, nga arab. “refugjat”, llagap të cilin plaku e mbajti gjer në vdekje. Këtē llagap e ruajnē sot edhe mijëra banorë tjerē nē Kosovē e Maqedoni, pasardhës të ikanakëve nga Serbia e Re.
Gjenocidi më 1877-1878 nisi ciklin e dhunës dhe urrejtjes mes dy popujve, që vazhdon gjer sot. Ajo që shokoi mediat e kohës ishte barbaria ndaj civilëve që kishin ndenjur mënjanë luftimeve. Aq shtazarak qe abuzimi i shqiptarëve sa kishte oficerë të lartë serbë që dhanë dorëheqje, midis tyre edhe një gjeneral i dekoruar ushtrie.
Shumë intelektualë serbë të kohës kishin paralajmëruar se krimi ndaj civilëve shqiptarë do të krijonte armiqësi shekullore mes fqinjësh. Por serbët u yshtën nga diplomacia ruse që të mos përsërisnin “gabimin” e Rusisë. Ato zona do të bëheshin “Kaukazi i Serbisë”, thuhej, ndaj më mirë të dëboheshin gjithë shqiptarët. Të sajohej Serbia e Re etnikisht homogjene, pa shqiptarë muslimanë.
Diplomacia ruse pērdori kartēn fetare në mënyrë shumē cinike. Ajo bindi Portën e Lartë të mos kërkonte kthim të ikanakëve në trojet e veta, me argumentin se këta “do ta forcojnë elementin musliman” në vilajetin e Kosovës. Në anën tjetër rusët bindën, madje financuan me kredi, kolonizimin serb të Serbisë së Re, “për të forcuar atje elementin kristian”. Rusia pra cyti qëllimshëm serbët kundër shqiptarëve, duke i zhytur dy palët në një det gjaku e urrejtje qindvjeçare, me kalkulimim e ftohtë se ky krim do ta lidhte Serbinë pas qerres ruse përgjithmonë.
Përdorimi i kartës fetare pruri ato resultate që kish menduar Rusia, deri në pikën e fundit.
Nishi, qyteti më i madh i trevave të Serbisë së Re, që para pastrimit etnik kish 40 përqind serbë, katër vjet më vonë kish 80 përqind serbë. Sot atje më nuk ka këmbë shqiptari.
Dëbimi i shqiptarëve muslimanë ngjalli urrejtje ndërfetare nē Kosovë, ka raste të dokumentuara kur u sulmuan vendbanime e faltore kristianësh ortodoksë, por edhe katolikë, që nuk kishin faj për krimet e shtetit serb.
Dhe Serbia mbeti e mbërthyer në detyra gjenocidale, e urryer dhe e përbuzur nga të gjithë fqinjët, këlysh i Rusisë në Ballkan edhe sot e kësaj dite.
Burimi: Stefanović, Djordje (2005). “Seeing the Albanians through Serbian eyes: The Inventors of the Tradition of Intolerance and their Critics, 1804-1939”.