12 Prill, 2019 - 6:24 pm
Drejtorja e Qendrës së Shërbimeve Arsimore, Rezana Vrapi shprehet se gjysma e kandidatëve për mësues nuk kanë kaluar në Provimin e Shtetit.
Ajo argumenton se më i ulët niveli i kalueshmërisë ka qenë tek studentët që kanë përfunduar programin e arsimit fillor.
Vrapi tha gjatë një interviste për Ora Neës se kandidatët mund ta bëjnë ankimimin brenda 5 ditësh nga momenti që kanë marrë rezultatin.
“49.6% e totalit të kandidatëve janë fitues, pra kanë marrë mbi 50% të pikavë. Ka një proces që ka të bëjë me ankimimin e kandidatëve. Është e drejtë e tyre që nëse nuk janë dakord me rezultatin të kërkojnë rishikimin e tij. Ankimimin mund ta bëjnë brenda 5 ditësh nga momenti që kanë marrë rezultatin”, tha Vrapi.
Ngelësit mund ta japin sërish Provimin e Shtetit. Më parë ata mund t`i nënshtroheshin testit deri në 5 herë, por prej tetorit të vitit të kaluar ky limit është hequr.
“Nuk ka një limit me daljen e VKM-së në tetor të 2018 është hequr kufizimi prej 5 herësh. Mund ta japin këtë provim kundrejt një pagese, e cila është e barabartë me atë nga hera e pestë”, deklaroi ajo.
Testimet për licencën e mësuesi kanë vënë në dyshim cilësinë e fakulteteve që aplikojnë programet e mësuesi. Nga 788 kandidatë që kërkuan të merrnin të drejtën e mësimdhënies 50% e tyre rezultuan ngelës, edhe pse kanë fituar diplomën e Universitetit.
Në provimin e shtetit më i ulët niveli i kalueshmërisë ka qenë tek ata që kanë përfunduar studimet e larta për arsimin fillor, ku 60% e kandidatëve nuk kanë marrë licencën.
Sipas të dhënave nga Qendra e Shërbimeve Arsimore asnjë prej kandidatëve nuk ka marrë notën maksimale 10. Tarifa që duhet të paguajnë kandidatët për mësues në lidhje me provimin e licencës është 10 mijë lekë dhe rritet me 2 mijë e 500 lekë sa herë e që e rrijapin.