17 Janar, 2018 - 10:21 pm
Filozofi Blerim Latifi përderisa ka komentuar përkujtimin e figurës historike të shqiptarëve, Skënderbeut, ka vlerësuar që do të ishte më mirë që kjo figurë të përkujtohet në një dimension më të civilizuar se sa me ngjyra të nacional-romantizmit.
Figura e Skënderbeut, sipas Latifit, perceptohet në disa mënyra.
Përderisa mitin për Skënderbeun e ka krijuar Evropa, kur ndihej e rrezikuar nga Perandoria Osmane, si figurë të rezistencës, rilindasit shqiptarë e rizbulojnë duke u përpjekur të dalin nga sundimi osman.
“Skënderbeu si figurë historike që ka ekzistuar realisht, është objekt i studimit te historianëve”.
“Është edhe Skënderbeu simbolik, si simbol i përdorur nga perspektiva të ndryshme, nga regjime të ndryshme, në epoka të ndryshme. Këtu i shoh disa lloje të perceptimit për Skënderbeun” u shpreh Latifi në një intervistë në Zona B të Klan Kosovës.
Latifi pohoi që figura e Skënderbeut është një nga simbolet e rëndësishme të identitetit kombëtar shqiptar.
Ai vlerësoi që situata aktuale në Kosovë ndikon në përfytyrimin e figurave historike të së kaluarës se afërt, siç është lufta e UÇK-së, qe sipas tij ishte ndikuar nga figura e Skënderbeut.
“Konsideroj që lufta e UÇK-së është forma e fundit që është frymëzuar nga përfytyrimi i Skënderbeut, nga modeli i rezistencës së Skënderbeut” tha Blerim Latifi. / KultPlus.com