17 Janar, 2018 - 2:00 pm
Në kuadër të 550-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, Muzeu Historik Kombëtar hapi ekspozitën me armë mesjetare si dhe libra të autorëve të ndryshëm dedikuar prijësit mesjetar të shqiptarëve. Në ceremoninë e hapjes së kësaj ekspozite kishte mjaft të pranishëm, të interesuar për dokumentacionin e larmishëm, pjesë e këtij koleksioni, përcjellë KultPlus.
“Personaliteti i Skënderbeut si burrështeti, strateg e mjeshtër i artit ushtarak dallonte me mbretërit e me princat evropianë të kohës, sepse ndryshe nga veprimtaria ushtarake e tyre që bazohej mbi trupat mercenare, ai u mbështet mbi një ushtri të formuar kryesisht nga vullnetarë që kishin gatishmëri luftarake dhe shpirt vetëmohimi”, ka thënë drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi, në hapjen e ekspozitës “Moti i Madh” e cila përkujton 17 janarin e vitit 1468, ditën kur një prej gjeneralëve më të mëdhenj të të gjitha kohrave, politikani, diplomati e burrë shteti, mbylli sytë.
Ekspozita “Moti i Madh” është si një kujtim e si një shenjë e bashkësisë arbëreshe që nëpërmjet traditës së vet dhe letërsisë së shkruar e mbajti të pashuar zjarrin e viteve të Skënderbeut për ta ringjallur ashtu si Feniksi në memorien dhe kujtesën kolektive të mbarë shqiptarëve.
Sipas Dorian Koçit, Skënderbeu sot vlerësohet e studiohet në Akademinë Mbretërore të Londrës për strategjinë dhe taktikën e tij ushtarake, ndërsa bustet dhe monumentet e tij janë në të gjitha sheshet qendrore evropiane, ndaj është një hero dhe simbol i qytetërimit evropian.
Ekspozita përmban statute, faksimile, gravura të autorëve të ndryshëm dhe portrete, kryesisht nga përkthimi i Marin Barletit në Gjermanisht i vitit 1533 ku janë të përfshirë rreth 107 ilustrime. Si autorë të mundshëm përmenden Hans Burgmair, Jorg Breu i Vjetri, Jorg Breu i Riu etj. Përzgjedhja e këtyre gravurave që pasqyrojnë shpirtin e kohës është bërë me qëllimin për ta parë Skënderbeun ashtu si e vështroi dhe përjetoi Evropa e Humanizmit e shekullit të XI-XVI.
Projeksionet artistike me dokumentarë dhe imazhe nga filmat për Skënderbeun pasurojnë ekspozitën “Moti i Madh” gjatë gjithë hapësirës së hollit kryesor të Muzeut Historik Kombëtar./ KultPlus.com