13 Qershor, 2018 - 12:00 pm
Së shpejti, në Tiranë do të organizohet një ndër eventet më të veçanta artistike, produkt i regjisorit të ri Sokol Guga, një prej artistëve më të talentuar të viteve të fundit. Në rolin edhe të producentit, Guga sjell një festival madhështor, të ri për nga lloji.
Bëhet fjalë për festivalin “Balkanika Folk Festival 2018”, që do të zhvillohet në datat 21 dhe 22 shtator në sallën e madhe të spektakleve në Universitetin e Arteve.
12 shtete ballkanike si Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Bosnja e Hercegovina, Sllovenia, Rumania, Serbia, Turqia, Kroacia, Greqia, Maqedonia do të garojnë në disiplinën e folkut dhe të valles tradicionale. Secili shtet pritet të përfaqësohet nga pasuria më e çmuar folklorike që e karakterizon.
Nën prezantimin e Klaus Bardeli e Jonida Lloha, skenografia i është besuar Dea Martinit dhe veshjet Samoela Adërit, të cilat po punojnë fort për të sjellë një larmi ngjyrash në skenë.
Kështu po veprojnë dhe përfaqësuesit e çdo vendi pjesëmarrës, për të bërë të mundur shfaqjen vlerave më të larta artistike dhe identitetare, sipas traditës dhe kulturës që përfaqësojnë. Të gjithë elementët, kostumet, muzika, ritmi, ngjyrat janë gërshetuar për të përcjellë trashëgiminë kulturore që e ruajnë me fanatizëm.
Vendet pjesëmarrëse do të garojnë mes tyre për pesë çmime të mëdha, ku katër do të jenë çmime speciale si dhe çmimi i madh i cili do të jepet për ansamblin më të mirë të festivalit.
Të ftuar specialë të festivalit do të jenë grupi Arbëresh “Shqiponjat” nga Italia, si dhe ansambli nga Biesko Biala, Poloni.
Organizatorët janë shumë të kujdesshëm për të mos bërë më shumë detaje publike pasi dëshirojnë që të mbetet surprizë për spektatorin dhe telespektatorin që do të ndjekë këtë festival nëpërmjet DigitAlb.
Ekziston bindja se regjisori dhe producenti Sokol Guga do të bëjë historinë, edhe të tij personale, me atë çfarë do ofrojë performanca e përgjithshme e këtij eventi./ KultPlus.com