Sonte në Prizren vijnë ‘Çikat me Defa’, Merita Rama zbulon detaje nga performanca (VIDEO)

7 Gusht, 2018 - 3:44 pm

Alberina Haxhijaj- Prizren

Sonte në Prizren në kuadër të DokuFesti, në Kalanë e Qytetit, mysafirët e festivalit do të reflektojnë hyjneshat brenda tyre përmes performancës së Këngëve të Çikave, shkruan KultPlus.

Grupi i cili përbëhet nga dhjetë çika do të interpretojë këngë popullore të çikave me Def, të cilat këndohen për të shënuar ceremoni të ndryshme shoqërore. Performanca do të përfshijë edhe këndimin e rrallë dhe karakteristik me gisht në fyt, specifikë për bareshat në Kosovë dhe që shërbente si një mënyrë për të komunikuar në distancë.

Performanca do të mbahet duke filluar nga ora 20:00 dhe tashmë nëpër rrugët e kalldrëmta të qyteti po flitet për ‘Këngët me Defa’ që do jehojnë në Kala. Prandaj, KultPlus ka biseduar me anëtaren e grupit Merita Rama për të mësuar më shumë për grupin i cili përbëhet edhe nga Vahide Jusufi, Minivere Borovci, Egzona Ramaj, Rozafë Neziri, Kosovare Qerkini, Shqiponjë Grajqevci, Mimoza Hamiti, Valentina Haziri si dhe Gentiana Krasniqi.

Merita Rama është rritur duke dëgjuar nënën dhe gratë e tjera në familjen e saj duke kënduar e rënë defit. Madje këtij instrumenti ajo filloi që t’i binte edhe vet kur ishte fare e vogël.
“Ngjitet kana me pika të kuqe/ sonte je o bajrak nër nuse/ sonte je o bajrak nër nuseee”, e ka kënduar edhe nëna ime tregon ajo gjersa kujton veten të vogël duke vrapuar në shtëpi në kërkim të defit, e pasi që e gjente, ulej pranë shoqeve të saj dhe përsëriste fjalët që i kishte mbajtur mend nga nëna e saj Hatixhja.

“Nëna Hatixhe i ka ra shumë mirë defit nëpër dasma dhe festa të tjera në familje, unë jam rritur tu e degju dhe jam munduar që ta imitoj atë. Kur merrja komente të tilla si ‘Po i bie bukur si nëna jote’ gëzohesha shumë dhe vazhdoja gjithë ditën duke bërë muzikë nëpër shtëpi”, tregon Merita.
Ajo shprehet se dashurinë për muzikën e ka trashëguar edhe nga babi i saj, i cili ishte i njohur në fshatin e tyre në Koliq në regjionin e Gollakut.

“Babi i ka rënë fyellit në atë kohë dhe së bashku me burrat e tjerë të katundit janë bërë së bashku nëpër oda e kanë kënduar. Si fëmijë i mbajë mend kur afrohesha afër dhe i dëgjoja duke kënduar”, kujton me mallëngjim ajo.

Kështu nga tetë fëmijë sa kishte familja Rama disa prej tyre u morën me muzikë duke përfshirë këtu Meritën por edhe vëllezërit e saj të njohur për publikun si “Vëllezërit Rama”.

Merita ka kohë që është pjesë e Ansamblit “Shota” por njëkohësisht është edhe pedagoge në A.K.V. “Dëshmorët e Kombit”. Mirëpo, ajo gjithmonë ka dashur që së bashku me mikeshat e saj të krijonte edhe një grup ku përmes këngëve do reflektonin për gratë duke sjellë kështu historitë e tyre.
“Vendosëm që të bëjmë diçka tonën pra kjo është private, jashtë aktiviteteve me të cilat merremi në përditshmëri. Ne e njohim njëra-tjetrën që shumë kohë kështu që vendosëm të bashkohemi dhe të këndojmë. Tani marrim pjesë nëpër dasma, kanagjegje, e të tilla. Këtë vit morëm ftesë edhe nga DokuFesti që të i’u bashkohemi dhe jemi shumë të lumtura”, shprehet ajo.

Grupi tani ka mbledhur disa këngë të njohura si këngën“Kaj Lulie, niju të ura” të cilën do e sjellin edhe sonte.
/Kaj lulije e niju te ura ijeooo/ kaj lulije e niju te ura/ oooo tkan mashtrue dimijat me lula/ ooo tkan mashtrue dimiat me lula oooo/

“Për shumë vite, këto këngë ishin një nga mënyrat e pakta për femrat kosovare që të shprehnin veten. Ato na tregojnë histori të sinqerta dhe zëra shumë shpesh të padëgjuar dhe për ne janë një festë e forcës dhe krijimtarisë së femrave të Kosovës”, thekson ajo për KujltPlus.
Kjo performancë është organizaur nga DokuFest së bashku me CHwB, me qëllim të përbashkët për të shënuar trashëgiminë shpirtërore të Kosovës.

Disa nga këngët të cilat do sjellin para publikut, sonte në Kalanë e Prizrenit duke filluar nga ora 20:00 janë : Kënga e Rugovës, Kaj oj nane bashkë me mue, Lëshoni udhë e lëshoni sokak, , Kqyrni shoqe, Luli Belholla, O’dola n’bahqe e të tjera./ KultPlus.com

Të ngjajshme