31 Janar, 2018 - 10:45 am
Sot shënohet 21-vjetori i rënies së Heronjve të Kosovës, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu e Edmond Hoxha.
Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu e Edmond Hoxha, luftëtarët e radhëve të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ranë heroikisht 21 vite më parë, në Pestovë të Vushtrrisë.
Sikur çdo vit, më 31 janar, përvjetori i rënies së tyre shënohen me një varg aktivitetesh.
Të tre, me vendim të Presidentit të Republikës së Kosovës, janë nderuar me titullin më të lartë që jepet në vendin tonë – Hero i Kosovës.
Zyrtarë shtetërorë, përfaqësues të institucioneve dhe familjarë e bashkëluftëtarë të tyre do të bëjnë sot homazhe pranë varreve të tyre në Orllan e në Lladoc të Llapit dhe në Junik të Dukagjinit.
Pastaj, në orën 12:00, në sheshin qendror të Podujevës zbulohen shtatoret e dëshmorëve Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu, Ilir Konushevci dhe Edmond Hoxha. Aktiviteti mbahet nën patronazhin e kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli.
Në orën 17:00, në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë, mbahet akademi përkujtimore, nën patronazhin e kryeministrit Ramush Haradinaj.
Ndërsa, në orën 18:15, në Pallatin e Rinisë në Prishtinë luhet ndeshja finale e Kupës së Qyteteve, turne futbolli që organizohet çdo vit në përvjetorin e rënies së tre dëshmorëve.
Të gjitha këto aktivitete do të transmetohen direkt në Radiotelevizionin e Kosovës./ KultPlus.com