30 Gusht, 2020 - 3:00 pm
Sot shënohet dita e themelimit të ngulimit arbëresh në Siçili, “Piana degli Albanesi” ose siç thuhet në arbërisht “Hora e Arbëreshëvet”.
Kjo komunë u themelua më 30 gusht të vitit 1488 nga një grup shqiptarësh nga viset shqiptare, kryesisht nga Himara, të cilët e braktisën vendlindjen për shkak të luftës. Në kërkim të lirisë, ata u vendosën përtej detit Adriatik, në Itali.
Çdo 30 gusht përkujtohet si një ngjarje e shënuar për këtë komunitet. Festimet e parashikuara për t’u zhvilluar sot, sipas njoftimit zyrtar në faqen e komunës “Piana degli Albanesi”, janë shtyrë për muajin nëntor, duke pasur parasysh gjendjen aktuale të pandemisë dhe duke vlerësuar shëndetin si elementin parësor të qytetarëve.
Sipas kryetarit të kësaj komune, Z. Rosario Petta, festimet e sotme do të kufizohen vetëm në liturgjinë hyjnore të së dielës, ndërsa në fund të muajit nëntor 2020 pritet të mbahen manifestime me rastin e 532-vjetorit të themelimit të kësaj vatre shqiptare në Itali. / KultPlus.com