9 Tetor, 2018 - 9:18 am
Trupi i pajetë i dirigjentit dhe profesorit Bahri Çela, i cili u nda nga jeta më 30 shtator në Londër, sot, më 9 tetor, kthehet në atdhe, merr vesh Koha.net nga familja e tij.
Varrimi i Bahri Çelës do të bëhet një ditë më pas, më 10 tetor, në Prishtinë, ku ai kishte kaluar pjesën më të madhe të jetës, ku bëri emër si dirigjent, themelues i Orkestrës Simfonike dhe pedagog universitar.
Për ta kujtuar e nderuar shëmbëlltyrën e tij, të mërkurën (10 tetor), në orën 15, në Amfiteatrin e ri të Bibliotekës Universitare (Instituti i Historisë), në Prishtinë, do të mbahet mbledhje komemorative, ndërsa në orën 17, po atë ditë, do të bëhet varrimi i tij në Varrezat e kryeqytetit. Kortezhi do të niset nga parkingu i te xhamia në varreza. Bëhet ditur po ashtu se familja e Bahri Çelçs do të pranojë ngushëllime më 11 e 12 tetor , nga ora 8-17 në ambientet e Hotelit “Sirius” (hyrja anësore).
Bahri Çela vdiq në Londër në mëngjesin e 30 shtatorit, pas vuajti për disa muaj një sëmundje të pashërueshme të organeve të frymëmarrjes.
Bahri Çela u lind më 1941. Pas mbarimit të shkollës fillore e të mesme të muzikës në Prizren, studioi në Akademinë e Muzikës, dega e dirigjimit, në Beograd, ndërsa specializoi në Konservatorin e Shën Petersburgut në Rusi. Pas studimeve u punësua në Radio Prishtinë si producent i muzikës serioze dhe asaj për fëmijë. Një kohë punoi si pedagog – udhëheqës i korit në Shkollën e mesme të Muzikës në Prishtinë.
Nga viti 1978 zgjidhet ligjërues në Fakultetin e Arteve-Dega e muzikës për lëndët Dirigjim dhe Orkestër. Çela ishte njëri ndër iniciatorët e themelimit të Orkestrës Simfonike të Radiotelevizionit të Prishtinës në vitin 1975. Me këtë orkestër dirigjoi një kohë duke realizuar koncerte të rregullta me vepra të autorëve shqiptarë dhe botërorë.
Për nevojat e produksionit muzikor të RTP-së ai incizoi një varg veprash – para së gjithash të autorëve shqiptarë si: R.Mulliqi, V.Gjini, E.Rizvanolli, R.Dhomi, A.Koci, B.Shehu, Ç.Zadeja, F.Ibrahimi etj. Me Orkestrën Simfonike të RTP-së mori pjesë rregullisht në Festivalin “Ditët e Muzikës në Budvë”, pastaj në Shqipëri dhe Kosovë.
Me këtë orkestër përcolli solistët e njohur si: J.Kolungjija (violinë), E.Musa (kitarë), V.Kajtazi (flaut), V.Pula (piano), H.Lekaj (mexosoprano), A.Merdakoviq (kornë) etj.
Me suprimimin e institucioneve legjitime kosovare nga ana e regjimit serb, në kushte jashtëzakonisht të vështira të viteve ‘90-të, së bashku me studentët dhe pjesërisht me ish-anëtarët e Korit Profesional dhe atyre të Orkestrës Simfonike të RTP-së, B.Çela përgatiti koncerte të ndryshme që u mbajtën në Kishën Katolike “Shën Ndou” në Prishtinë.
Një nga koncertet iu kushtua edhe nobelistes shqiptare – Nënës Terezë.
Pas luftës në Kosovë, ai punoi me vetiniciativë në riaktivizimin (rithemelimin) e orkestrës, por kësaj radhe asaj të Filarmonisë së Kosovës si institucion i pavarur profesional muzikor.
Vitet e fundit të jetës i kaloi në Londër (Britani e Madhe), ku u nda nga jeta në moshën 77 vjeçare.
Me vdekjen e tij Kosova humbi një nga veteranët e edukimit muzikor, profesorin shumëvjeçar të Fakultetit të Arteve, punëtorin e rrallë dhe të pakursyer dhe njërin ndër iniciuesit kyç të themelimit të institucioneve muzikore në Kosovë.