Sot bëhen 170 vite nga dalja e gazetës së parë shqiptare (FOTO)

23 Shkurt, 2018 - 1:00 pm

“L’Albanese d’Italia”, apo në shqip “Shqiptari i Italisë”, gazetë njihet si e para gazetë në historinë e shtypit shqiptar. Numri i sajë i parë doli më 23 shkurt të vitit 1848, shkruan KultPlus.

Kjo gazetë ka qenë gazetë politike, shoqërore dhe letrare në gjuhën italiane, pjesërisht edhe arbërisht. Ajo drejtohej nga publicisti më i vjetër shqiptar, Jeronim De Rada. Ai e botoi këtë gazetë në Napoli të Italisë, duke themeluar kështu edhe hapat e parë të shtypit kombëtar. Gjithashtu më 1883, ai botoi revistën e parë në gjuhën shqipe “Flamuri i Arbërit”.

Shtypi shqiptar lindi në mesin e shek.XIX. Organet e para të tij nuk mund të botoheshin brenda vendit. Ato dolën në fillim me përpjekjet e arbëreshëve në Itali e Greqi. Nga fundi i shek.XIX nisën botimin në kolonitë shqiptare disa organe me rëndësi. Gjatë kësaj periudhe, gazetat dhe revistat në gjuhën shqipe hynin fshehurazi në Shqipëri. Ato informonin për jetën brenda vendit, si dhe për veprimtarinë e shqiptarëve në kolonitë jashtë vendit dhe kryesisht demaskonin shtypjen nga qeveria e Stambollit dhe politikën e fuqive të huaja ndaj tokave shqiptare./ KultPlus.com

Të ngjajshme