23 Tetor, 2019 - 5:30 pm
Bashkia e Lezhës sot ka marrë vendim që të restaurohet shtëpia e At Gjergj Fishtës, politikanit dhe atdhetarit të shquar të kombit shqiptar, shkruan KultPlus.com
Ky vendim ka ardhur sot kur Fishta ka përvjetorin e 148-të të lindjes së tij.
“Më në fund, mbërriti lajmi i shumëpritur nga unë dhe të gjithë atdhetarët shqiptare, por sidomos nga adhuruesit e të Madhit AT GJERGJ FISHTA. Falë ndërhyrjes së Kryetarit të Bashkisë Lezhë, Z.Pjerin Ndreu, Këshilli Kombëtar i Restaurimeve në Institutin e Monumenteve të Kulturës, ka miratuar projektin për “Restaurimin e Banesës së At Gjergj Fishtës”…
Bëhet fjalë për projektin e konceptuar nga ana ime dhe realizuar nga Arkitekt Projektues, Dodë Zhuba, në fillim të këtij viti dhe në kuadrin e “Projektit 100 Fshatrat”. Më pas projekti është konsultuar dhe adaptuar nga specialistët e Institutit të Monumenteve të Kulturës, duke dalë në variantin final që është miratuar nga K.K.R. me dt.18.09.2019 me Vendim Nr.303.
Së shpejti, do të marrë zgjidhje edhe problematika e pronësisë mbi “Truallin e Kullës ku ka lindur At Gjergj Fishta”, sepse aty do të ndërtohet një objekt shumë dinjitoz. Respekt dhe mirënjohje pa fund”, ka shkruar në Facebook, Paulin Zefi.