Spaçi muze kujtese, dëgjesë publike për t’ia kthyer qytetarëve

27 Prill, 2024 - 11:59 am

Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit në bashkëpunim me Trashëgiminë Kulturore pa Kufij, Shqipëri (CHwB Albania) dhe Fondazione Santagata per l’Economia della Cultura planifikojnë të mbajnë dëgjesë publike mbi Planin e Menaxhimit për ish-Burgun e Spaçit.

Ministri i MEKI-t, Blendi Gonxhja njoftoi në rrjetet sociale se qëllimi i takimit është prezantimi dhe diskutimi së bashku me palët e interesit i temave të trajtuara në Planin e Menaxhimit të ish-Burgut të Spaçit, si ruajtja e këtij monumenti si vendi më simbolik i kujtesës së mizorisë së regjimit komunist në Shqipëri dhe të akteve të shumta të rezistencës së qytetarëve shqiptarë, përqasjet për realizimin e muzeut të kujtesës, mekanizmat e organizimit dhe implementimit të një strukture të përshtatshme menaxhuese të sitit, etj.

“Duke pasur parasysh rëndësinë e tij të jashtëzakonshme, ka ardhur koha që Spaçi t’u kthehet qytetarëve shqiptarë dhe kjo dëgjesë do të paraqesë planin e menaxhimit, zbatimi i të cilit do të mundësojë ndryshimin dhe realizimin e vizionit për të ardhmen e Spaçit”, u shpreh Gonxhja.

Mbi të gjitha, sipas tij, plani i menaxhimit, është konceptuar pas një analize të detajuar të pasurisë kulturore, të vlerave dhe statusit të saj të ruajtjes, si dhe pas një raundi konsultimesh me grupet e interesit që përfshinin më shumë se 50 individë: ish të burgosur politikë; profesionistë të institucioneve të ruajtjes së kujtesës, advokimit dhe kërkimit në Shqipëri; drejtorë të muzeve dhe zonave muzeale brenda dhe jashtë vendit, përfaqësues dhe anëtarë të komunitetit të Mirditës, artistë dhe profesionistë të kulturës, mësues e profesorë historie. / KultPlus.com

Të ngjajshme