Studentët e Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës udhëtim virtual në Muzeun e gjetheve

16 Prill, 2020 - 9:11 am

Në kuadër të aktiviteteve të veta Instituti i Studimeve Sociale e Humanistike ISSH e Fakultetit Filozofik i Universitetit të Prishtinës realizoi një diskutim me drejtoreshën e Muzeut Kombëtar të Përgjimeve: “Shtëpia me Gjethe”, Etleva Demollari, me temë: “Trashëgimia e vështirë – rasti i Muzeut Kombëtar të Përgjimeve: “Shtëpia me Gjethe”.

Projekti Forum 2020 + kulturë e trashëgimi është një nismë e drejtorit të ISSH Prof. Arsim Sinani për njohjen dhe evidentimin e plotë të trashëgimisë kulturore shqiptare.
Në prezantimin e saj, Demollari foli për trashëgiminë e vështirë komuniste në Shqipëri, debatet mbi të në kuadër të drejtësisë tranzicionale.

Studentët patën mundësi të njihen me këtë institucion të veçantë, fitues i çmimit të Këshillit të Evropës: Muzeu i vitit 2020 dhe me mënyrën e ekspozimit të krimeve dhe të të periudhës së errët komuniste të Shqipërisë. Takimi u zhvillua në formën e një bashkëbisedimi ndëraktiv.

Studentët shfaqën interes dhe kërkuan të dinin më shumë mbi vendet e kujtesës e të trashëgimisë komuniste në Shqipëri dhe me mënyrën si po përballet Shqipëria me të kaluarën e saj. Po kështu u vizitua virtualisht Muzeu Kombëtar i Përgjimeve: “Shtëpia me Gjethe” nën drejtimin e drejtoreshës Demollari.

U ra dakord që një student nga Fakulteti Filozofik të zhvillojë praktikën në muze dhe të specializohet në këtë fushë. Bashkëpunimi mes Muzeut Kombëtar të Përgjimeve: “Shtëpia me Gjethe” dhe ISSH do të vazhdojë me projekte konkrete dhe bashkëpunim intensiv mes dy institucioneve edhe në të ardhmen. / KultPlus.com

Të ngjajshme