Studentët e huaj shijojnë aventurat e PISU-s në Prishtinë, mahniten nga “Shota” (FOTO)

11 Korrik, 2018 - 10:20 pm

Gili Hoxhaj

Nuk ka shumë ditë që Universiteti Ndërkombëtar Veror i Prishtinës ka hapur dyert e kampusit të Universitetit të Prishtinës, për të pritur studentë e profesorë nga vendi, rajoni e bota, shkruan KultPlus.

Brenda pak ditësh, studentët veçse ishin njoftuar me njëri-tjetrin. Studentë vendor e të huaj përgjatë dy javëve do të ndjekin rreth 15 kurse nga profesorë vendor e ndërkombëtar, ndërsa do të kenë mundësi edhe të njihen më shumë me kulturën e historinë e Kosovës, duke vizituar shumë nga vendet me rëndësi historike. Krahas këtyre, ata kanë nisur rrugëtimin e vizitave në Muzeun e Kosovës, Parkun Arkeologjik “Ulpiana”, Memorialin e Jasharëve në Prekaz, Kalanë e Prizrenit, Xhaminë e Sinan Pashës, Galerinë Kombëtare të Kosovës, Kinemanë ABC e vende të tjera.

Të gjithë këta studentë e profesorë kishin zënë vend në Qendrën e Studentëve, për të ndjekur në çdo hap vallëzimin e “Shotës”. Valltarët e “Shotës” në veshjet e tyre përfaqësonin veshje të trevave të ndryshme shqiptare, duke u treguar atyre traditën e përbashkët të shqiptarëve, vajzat me shamitë e kuqe, e djemtë me plisin e bardhë u bënë përfaqësim i valleve të krahinave të ndryshme shqiptare.

Herë krah për krahë, e herë me lëvizje të shpejta të këmbeve e duarve, herë duke lëvizur duart poshtë e herë duke ngritur duart lart, ata bënë që publiku të ndjek ritmin e tyre nën buzëqeshje e duartrokitje. Që nga përfaqësimi i dasmës, vallëzimi me shpata në duar, e tek hapat e lehtë të “Bareshës”, ata përmbyllën vallëzimin e tyre nën koreografinë e valles “Festa e bashkimit”, nën ritmin e shpejtë të këngës “Xhamadani vija vija”.

Drejtori artistik i ansamblit “Shota”, Ylber Asllanaj tha se është kënaqësi që përmes punës së tyre të kontribuojnë që studentët e huaj të njoftohen me traditën shqiptare. Asllani për KultPlus u shpreh se përmes kësaj performance kanë përzgjedhur sa më shumë nga veshjet, këngët dhe traditat shqiptare.

“Prej gjërave më pozitive që mund të shohin tek ne është ansambli, tradita, kënga, vallja, veshja popullore. Jemi të lumtur që sonte e shijuan këtë mbrëmje. Për shkak të natyrës së performancës kemi zgjedhur një përmbledhje të koreografive te të gjitha trevave shqiptare, duke filluar prej jugut, Çamërisë e deri tek veriu i Shqipërisë. Ne preferojmë që gjithmonë ta përmbyllim me koreografinë “Festa e Bashkimit”, e cila si bazë muzikore e ka këngën më popullore shqiptare “Xhamadani vija-vija”, tregoi Asllanaj për KultPlus.

Në fund të valles, valltarët ftojnë publikun që t’i bashkohet atyre e të festojnë së bashku nën ritmin e këngës e valles shqiptare. Profesori Curt Youngs që vjen nga Iowa e SHBA-së, ishte një ndër të parët që iu bashkua atyre, duke ndjekur pa asnjë vështirësi hapat e valles. Ai tashmë vjen për të tetën herë në Prishtinë dhe për të pestën herë në Universitetin Ndërkombëtar të Prishtinës ndërsa thotë si gjithnjë e ndjen të njëjtën kënaqësi. Ai tha se nuk ishte fare i përgatitur të vallëzonte me valltarët por që e shijoi mjaft shumë këtë eksperiencë, posa mësoi t’i ndjek hapat e tyre.

“U kënaqa duke parë stile të ndryshme të fustaneve tradicionale shqiptare, këngë e valle të ndryshme nga treva të ndryshme shqiptare. Ka qenë një eksperiencë e mrekullueshme lidhur me kulturën shqiptare. Nuk isha i gatshëm të vallëzoja me valltarët por ishte një eksperiencë shumë e mirë momentin që mësova t’i ndjek hapat. Disa studentë vite më parë, ishin përpjekur që t’mi mësonin këta hapa por i kisha harruar”, u shpreh Youngs për KultPlus.

“Jam falënderues nga thellësia e zemrës që pata mundësinë ta shoh këtë performancë dhe këta valltarë tradicional, më bëri të ndjehem i lumtur dhe shumë emocional në të njëjtën kohë sa që më rrëshqitën ca lotë”, kështu u shpreh për KultPlus, studenti nga Gjermania, Daniel Simon pas performancës së ansamblit “Shota”.

Ai tha se vjen për herë të parë në Prishtinë, ndërsa më parë nuk kishte pasur ndonjë përshtypje për Kosovën, për të cilën thotë se ka dëgjuar përmes televizionit gjatë vitit 1999.

“Fillimisht kam mësuar për Kosovën përmes televizionit në vitin 1999 dhe më nuk kam pasur ndonjë informatë për këtë vend, kështu që është ndjenjë e jashtëzakonshme të vij dhe ta shoh se si është zhvilluar. Jam shumë i kënaqur me pritjen këtu”, u shpreh Simon për KultPlus.

Valerina Rugova nga stafi i Universitetit Ndërkombëtar Veror të Prishtinës, tha se ky edicion përfshin profesorë që vijnë nga Amerika, Kanadaja, Austria, Lituania, Egjipti, Polonia, Gjermania e Italia, ndërsa veçantia e këtij edicioni qëndron në faktin se janë të përfshirë edhe kurse nga fusha e mjekësisë dhe FSHMN-së, të cilat kanë munguar viteve të kaluara. Ajo shtoi se ky edicion ofron 4 workshope me profesorë nga Portugalia dhe Polonia.
“PISU është projekti me i madh i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”. PISU është i hapur për të gjithë studentët vendor dhe ndërkombëtar. Si qëllim kryesor PISU ka që t’u ndihmoj studentëve të përfitojnë njohur prej metodave më të reja të ligjërimit dhe hulumtimit. Si dhe ka anën sociale ku bën bashkë studente nga vendi, regjioni dhe bota, pra u ndihmon të rinjve tanë që të krijojnë lidhje të reja me studentë e profesorë nga vende të ndryshme të botës”, u shpreh Rugova për KultPlus.

PISU 2018 do të vazhdoj me aktivitete të tjera deri më datën 20 korrik. /KultPlus.com

Të ngjajshme