3 Prill, 2019 - 11:15 am
24-vjeçarja nga Kosova, Ardiana Bushi, është bërë studentja e parë që bëhet pjesë e CERN-it, i cili është një nga laboratorët më të mëdhenj në botë për fizikë nukleare.
Bushi ka “lulëzuar” në mesin e 1424 personave sa kanë aplikuar gjithsej nga e gjithë bota. Studentja e Fizikës në Universitetin e Prishtinës, e cila vjen nga Hani i Elezit është përzgjedhur për të marrë pjesë në “CERN Summer Students Programme” ku do të kryej praktikën në qendrën më të madhe për hulumtime shkencore dhe një nga laboratorët më të mëdhenj në botë për fizikë të grimcave.
Për të rrëfyer për eksperiencën të cilën ajo po e pret me padurim,
studentja kosovare, për “Zëri.info” ka thënë se të qenët pjesë e CERN-it ka
qenë një ëndërr e saj shumëvjeçare ashtu siç do të ishte për të gjithë studentë
dhe fizikanët nëpër botë.
“Për mua të jem pjesë e CERN-it, dhe të vlerësohem nga një laborator me renome
botërore ka qenë ëndërr imja shumëvjeçare, duke pasur parasysh se unë vijë nga
një qytet i vogël siç është Hani i Elezit”, ka rrëfyer 24-vjeçarja.
E për të arritur këtë sukses në një moshë kaq të re, Ardianës i është dashur
shumë përkushtim e punë. Të gjithë përvojën që do të marr Ardiana gjatë
qëndrimit të saj në Zvicër dhe Francë, ajo do ta rikthej në Kosovë duke
kontribuar në vendlindjen e saj.
Ajo po ashtu do të jetë pjesë e projekteve shkencore dhe ligjëratave, që do të
mbahen nga shkencëtarë me renome të fushës së fizikës.
Aktualisht Ardiana është studente para diplomimit në departamentin e Fizikës në FSHMN në Universitetin “Hasan Prishtina” dhe gjithashtu studion shkenca kompjuterike në një kolegj privat./Zeri / KultPlus.com