Studioja e arkitekturës ‘Kengo Kuma and Associates’, fituese e konkursit ndërkombëtar për Qendrën e Vizitorëve në Butrint

26 Prill, 2023 - 11:31 pm

 “Kengo Kuma and Associates” u shpall fituese e konkursit ndërkombëtar mes 4 studiove të arkitekturës për hartimin e projektit për Qendrën e Vizitorëve në Parkun Kombëtar të Butrintit.

Studioja fituese u përzgjodh për qasjen unike arkitekturore në krijimin jo thjesht të një objekti, por të një porte hyrëse në pasurinë e Butrintit, me një pamje të mrekullueshme dhe krijimin e një hapësire publike takimi për komunitetin lokal dhe turistët.

Juria ndërkombëtare e mbledhur sot shqyrtoi katër projektet finaliste për Qendrën e Vizitorëve në Parkun e Butrintit, portën hyrëse në këtë pasuri të UNESCO-s.

Katër studiot finaliste ishin:

• Kengo Kuma & Associates (Japoni)

• Lahdelma & Mahlamäki Architects (Finlandë)

• Philippe PROST / AAPP (Francë)

• William Matthews Associates (Mbretëria e Bashkuar)

Procesi i seleksionimit dyfazësh u organizua nga Malcolm Reading Consultants në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës së Shqipërisë dhe Fondacionin për Menaxhimin e Butrintit. Konkursi u financua nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim

Juria përbëhej nga: Elva Margariti, ministre e Kulturës, Shqipëri; Martin Mata, bashkë-CEO, Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim The_AADF; Aleksandër Sarapuli, bashkë-CEO, Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim; Róisín Heneghan, bashkëthemeluese dhe Drejtuese e ‘Architects Heneghan Peng’; Mónica Luengo Añón, themeluese, “Arkitekturë, Territor dhe Peizazh, ATP”; Suzanne Ogge, drejtuese e Projekteve dhe Trashëgimisë Ndërkombëtare, studio Milou, dhe konsulente e UNESCO; Thomas Vonier, iIsh-kryetar i Unionit Ndërkombëtar të Arkitektëve, partner i Chesapeake Strategies dhe Matilda Pando, kryetare e Shoqates se Arkitekteve te Shqiperise dhe themeluese e MATT Architects.

I shpallur nga Fondacioni për Menaxhimin e Butrintit, konkursi ndërkombëtar i qendrës së vizitorëve u mbështet financiarisht nga Fondi Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim dhe u organizua nën mbikqyrjen e Ministrisë së Kulturës nga kompania britanike Malcolm Reading Consultants.

Kjo qendër, e denjë për të mikpritur vizitorët, me të gjithë infrastrukturën e nevojshme në shërbim të tyre do të respektojë së pari vlerat e jashtëzakonshme universale jo vetëm të zemrës arkeologjike, por të të gjithë Parkut Kombëtar./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme