Suade Doko Mekuli, gruaja e parë arkitekte në Kosovë

5 Tetor, 2020 - 6:58 pm

Suade Doko Mekuli (1931-2010), erdhi nga Ohri i Maqedonisë në Prishtinë në moshë të re dhe sapo e diplomuar.Ishte vajzë e familjes Doko, kamëse dhe arsimdashëse.

Cak i studimeve të Suadës së re, pas përfundimit të shkollës fillore dhe të mesme me sukses të shkëlqyeshëm, ishte Fakulteti Teknik i Shkupit, dega e arkitekturës, ku edhe diplomohet në vitin 1958.Po atë vit arrin në Prishtinë dhe punësohet në Ndërmarrjen ndërtimore ”Ramiz Sadiku”, me formimin e Sektorit të Projektimit, emërohet udhëheqese e tij.

Pastaj kaloi të punojë në kuadër të Byrosë Projektuese ”Kosmetprojekt”, asokohe si projektante përgjegjëse dhe shefe e grupit projektues, nga viti 1962 deri në 1967.

Tani po atë vit, do të fillojë punë në arsim në shkollën e mesme teknike në Prishtinë, duke ligjëruar lëndën ‘Konstruksione ndërtimore’, ndërsa një vit më vonë zgjidhet asistente e lëndës ”Godinari I dhe II”, ndërsa më 1970 emërohet ligjëruese e kësaj lënde.

Profesoresha Suade do të realizojë një numër të madh projektesh në hapësirat kosovare si;

Ndërtesa banimi kolektiv në Prishtinë, në Rahovec, Pejë, Fabrikën e mobilieve në Ferizaj, postën qendrore në Prishtinë, ndërtesën e Fakultetit Filozofik, Ambulancën në Prizren.Ajo poashtu ishte edhe kryetare e Këshillit Krahinor të Arsimit dhe Kulturës, Prodekane për Arsim në Fakultetin Teknik si dhe shefe e seksionit të Arkitekturës në Fakultetin Teknik.

Në Qershor të vitit ’91, kur futen masat e dhunshme në Universitet, arsimi përjeton edhe një sfidë të vështirë, me mungesë të kushteve elementare për punë, nën presion të vazhdueshëm të dhunës policore serbe, si dhe me largimin e Profesorëve nga puna.

Suade Doko Mekuli vdiq në vitin 2010. / KultPlus.com

Të ngjajshme