Suedia dhe Kosova, e bardha dhe e zeza për të drejtat e njeriut

18 Janar, 2019 - 7:56 pm

Arbër Selmani

Një shok i imi, Daniel Silberstein, duhet të mendohet goxha si shumë për të ma gjetur një gjë të vetme që nuk ecën mirë në Suedi. Shteti i gjelbër, apo vendi i cili që nga viti 2009 ka aprovuar martesat mes të gjitha gjinive, ndoshta edhe nuk ka diçka që thjeshtë nuk funksionon.

“Duhet të mendohem. Problemi i vetëm është ndoshta ideologjia naziste e cila pak po del në pah viteve të fundit. Përndryshe, moti i keq është ai që nuk i pëlqen suedezëve” tregon Danieli. Ironike, por këtë bisedë e bëmë në Stokholmin e fillim-gushtit 2018, ku temperaturat shënonin mbi 30 gradë dhe Suedia po e përjetonte verën më të nxehtë në 260 vite, prej kur edhe ky shtet e mat temperaturën e ajrit.

***

Stokholmi është kryeqyteti i Skandinavisë, ose kësisoj figuron nëpër broshurat e promovimit të qytetit. Ndërtuar aty ku liqeni takon detin, me 14 ishuj dhe me 57 ura, qyteti merr frymë me mendje të hapura në rrugë të ngushtuara. Prej këtij qyteti kanë dalë idetë e mëdha që sot mbajnë emrin Spotify, Skype, Ericsson… Por më e rëndësishme se të gjitha këto është se qyteti është i pranueshëm ndaj të gjitha komuniteteve. Këtë vit, 60 mijë qytetarë morrën pjesë në parakalimin brenda Paradës së Krenarisë së komunitetit LGBTI – gej, lezbik, transgjinor, biseksual dhe interseks, dhe rreth 500 mijë të tjerë e ndoqën paradën nga ballkonet e tyre, anash rrugës, si spektatorë të festës së madhe.

Me 4 gusht, e shtune, një ditë me shi do të ‘provonte’ të ndalte hovin e suedezëve dhe njerëzve që nga mbarë bota të cilët erdhën në Stokholm për të qenë pjesë e Paradës së Krenarisë. Mes tyre, edhe disa shqiptarë. 

“Është e mahnitshme kjo ndjenjë në Stokholm. Këtu nuk duket asgjë sikur një Paradë, por më shumë si një ditë feste për këtë popull. As edhe një shikim të vetëm të keq nuk e pashë prej njerëzve që na shikonin prej rrugëve, ballkoneve, apo prej kafeve ku po pinin. Sa normale është kjo ditë për këta njerëz, më duket absurde” tregon Aras, një aktivist për të drejtat e njeriut nga Turqia, një shtet që me gjithë integrimin nuk ka arritur viteve të fundit ta pranojë komunitetin LGBT, duke shtypur e ndaluar disa herë Paradat e Krenarisë në Stamboll dhe në qytetet tjera kryesore.

E kur shikon statistikat dhe datat, Suedia ka qenë zgjuar kur shumë shtete në Evropë kanë fjetur. Në vitin 1845, në Suedi është garantuar barazia mes burrave dhe grave në të drejtën e trashëgimisë, në vitin 1921 gratë fillojnë të votojnë, në vitin 1965 shteti e aprovon ligjin kundër dhunës në martesë. Që nga viti 1974, në Suedi të drejtën për të marrë pushim e kanë të dy prindërit, pas lindjes së fëmiut. Një vit më vonë lejohet aborti pas javës së 18-të.

Në vitin 2002 kriminalizohet trafikimi me qenie njerëzore për qëllime seksuale ndërsa që nga viti 2009, në Suedi nuk i bën askujt përshtypje nëse je burrë e martohesh me burrë apo grua, apo nëse je grua dhe dëshiron që partner jetësor të kesh një grua, ose një burrë. Edhe Kisha e Suedisë nuk ka asnjë problem me këtë punë. Kjo pasqyrë është majftueshëm bindëse për të konfirmuar “Suedinë e mirë”, vendin ku merr frymë lirshëm në çfarëdo forme të jetesës njerëzore derisa nuk rrezikon mirëqenien e tjetrit.

Nadja Karlsson është një tjetër shembull i gjallë i Suedisë paqësore. Ajo është transgjinore. Nëna e saj e ka pranuar faktin që Nadja do të jetë një grua deri në fund të jetës së saj. Mbesa e saj e ka pranuar edhe pse vëllau i Nadjas e ka konsideruar të tmerrshme që idenë që Nadja të vazhdojë me këtë stil të jetesës.

“Unë organizoj shëtitje nëpër qytet dhe e rrëfej historinë e komunitetit LGBT këtu. Nuk ka qenë gjithmonë parajsë dhe ambient i lehtë, por me kalimin e kohës të gjitha institucionet janë bashkuar për të përmirësuar situatën” tregon Nadja. Ajo ka përmendur librin “Sodomsäpplet” nga Bengt Martin, libër ky i cili flet për lidhje homoseksuale dhe i cili ka pasur ndikim në mentalitetin e suedezëve që nga botimi i tij në vitin 1968.

***

Hoxhë Sadullah Bajrami predikonte dikur në ligjëratat e tij për këtë komunitet njerëzish, kur në internet gjenden fjalimet e tij mbi homoseksualitetin, këtë “sëmundje e cila sjell edhe sëmundje të tilla”.

“Nuk kemi nevojë që lesbiket të na dalin në rrugë e të na tregojnë trashëgiminë dhe virtytet e popullit të tyre” thotë mes tjerash Bajrami. Homologu i tij, Kujtim Hasani, thotë se të jesh homoseksual është e pështirë dhe e ndyrë, duke kujtuar e rrëfyer se një kohë paska ekzistuar një vend i tërë me “njerëz të tillë”, dhe të cilin All-llahu e rrokullisi, dërgoi lehjen e qenve dhe gurët vrastarë, duke i dhënë fund këtij degjenerimi kolektiv. Gripi i pulave apo sida, sipas Hasanit, janë pjellë e ardhur nga gejët e lesbiket.

Gëzim Kelmendi, një tjetër perlë e mendimeve në këtë fushë, e ka quajtur disa herë komunitetin LGBT si komunitet të sëmurë. Hov morri edhe vitin e kaluar, kur në Kosovë u mbajt për herë të parë Parada e Krenarisë – me disa marshe nëpër vite para saj, kur prapë e shpërfaqëi në rrjete sociale urrejtjen e tij dhe argumentet pse nuk e do këtë komunitet si pjesë të familjes së madhe shqiptare.

Kjo veç sa për të lidhur paralele me atë se çfarë përfaqëson, proklamon dhe përkrahë Kisha e Suedisë. 64 % e qytetarëve në Suedi janë pjesë e Kishës, dhe besojnë fuqishëm në këtë institucion fetar.

***

Derisa në Kosovë në librat shkollorë, përfshirë edhe librat për fëmijë, skandalet e ndryshme dalin si këpurdha kohë pas kohe, në Suedi është krejt më ndryshe.

Para disa kohësh, në një libër prej të cilit edukohen gjeneratat e Kosovës shkruante se muzika rok është kriminale. Në një tjetër, baraz skandaloz, personat me Syndrome Doën konsiderohen ‘idiota mongoloid’.

Në Suedi, fëmijët i mësojnë rolet e ndryshme gjinore si të barabarta qysh në librat me figura e vizatime, të kuptueshëm për ta.

Kristina Henkel nga OLIKA – shtëpia botuese e cila përkujdeset që fëmijëve që rriten në Suedi tu tregojë barazinë gjinore me anë të librave për fëmijë, tregon më shumë për revolucionin suedez të librave për fëmijë.

Nuk është për çudi, kur merret me mend fakti se Pipi Çorapegjata është produkt suedez, i shkrimtarit Astrid Lindgren. ‘Letërsia e mirë i jep fëmijut një vend në këtë botë…dhe botës një vend brenda një fëmiu’.

“Në librat për fëmijë, gjithmonë vajzat janë të thyera, të dëshpëruara, pasive, brenda shtëpisë, shumë emocionale, ndërsa djemtë janë të fortë, të frustruar, plot avantura, të guximshëm. Ne kemi nisur moti ta ndërrojmë këtë praktikë. Ne nisemi prej faktit, normalizo – mos problematizo” tregon Henkel.

Ja shembull, libri “Ta pastrojmë veturën” tregon se si burri i shtëpisë e mban fëmiun ndërsa gruaja e pastron veturën, ndërsa te libri “Fustani i Konradit” është personazhi kryesor simpatik, Konradi, ai që vesh fustanellën e motrës dhe bashkë luajnë e kërcejnë.

“Kur publikojmë një libër për fëmijë, kontrollojmë që gjithçka të jetë e barazpeshuar. Mosha, religjioni, klasa sociale, gjinia, ngjyra e lëkurës, dëshirat, preferencat, aftësitë e veçanta, dashurinë mbi të gjitha” vazhdon Henkel.

***

Në anën tjetër, në aspektin e të drejtave të njeriut, Kosova nuk është një nxënëse e mirë.

Human Rights Watch e ka publikuar para pak ditësh raportin për të drejtat e njeriut për vitin 2018. Kosova është e përfshirë në të njëjtin seksion me Serbinë, por ta zëmë se ky fakt nuk është asgjë politik.

“Urrejtje në rrjete sociale kundër lezbikeve, gejave, biseksualëve dhe transgjinorëve pati gjatë tërë vitit, njëjtë sikur edhe adresuar aktivistëve, sidomos gjatë Paradës në muajin tetor. Në maj, autoritetet e kundërshtuan kërkesën e një transgjinori për të ndërruar gjininë në dokumente dhe emrin. Nuk pati incidente në Paradën e Krenarisë” shkruhet mes tjerash në këtë raport nga HRW.

Megjithatë, as në Serbi situate nuk është ndryshe.

DA SE ZNA, organizatë serbe që merret me të drejtat e komunitetit LGBT, ka pasur mbi dhjetë sulme adresuar aktivistëve të saj. 

Në Kosovë, planet janë që edhe këtë vit të mbahet Parada e Krenarisë, ndërsa do të jetë e treat herë që kjo do të ndodhë, me shpresë që popullata të vetëdijësohet dhe të pranojë këtë komunitet.  / KultPlus.com

(Teksti është realizuar me ndihmën e Swedish Institute dhe Ambasadës së Suedisë në Kosovë)

Të ngjajshme