8 Gusht, 2017 - 9:00 am
Një nga pesë projektet e Suedisë me USAID-in për turizmin e qëndrueshëm zbatohet në veriun e vendit, duke nxitur agroturizmin.
Shqipëria e veriut, një zonë e madhe malore dhe rurale, ka nivelet më të larta të varfërisë në qarqet veri-lindore të Kukësit, Pukës, Malësisë së Madhe dhe Dibrës, ku 80% e të ardhurave në familje sigurohen nga ndihma sociale dhe ekonomike.
E pozicionuar në rajonin alpin shqiptar, kjo zonë ka një potencial të madh për zhvillim në turizëm me mundësi për ekoturizmin, aventurën dhe agroturizmin.
Në një postim në faqen zyrtare të ambasadës suedeze, thuhet se projekti i Agroturizmit synon të përmirësojë kushtet e jetesës së banorëve të këtyre zonave rurale në veri-lindje, me anë të punësimit në një sektor agroturizmi të qëndrueshëm dhe aktiv.
Projekti do të ofrojë ndihmë teknike për gjashtë ferma plotësisht në gjendje pune në rajon. Ai zbatohet nga OJF-ja CEED Albania, e cila ofron njohuritë praktike në biznes dhe lidh pjesëmarrësit me mentorët dhe sipërmarrësit, të cilët mund t’i ndihmojnë t’i çojnë bizneset e tyre të vegjël në nivelin tjetër. Vlera totale e projektit është rreth 606,000 euro./ KultPlus.com