19 Janar, 2019 - 11:00 pm
Prej dy vjetësh Donald Trump është president i SHBA. Figura e tij shitet shkëlqyeshëm si suvenir – e kryesisht ato që e paraqesin atë pa doreza. Reporterja e DW vizitoi një dyqan suveniresh në Uashington DC.
“Eshtë ndër bestseller-it tonë”, thotë Debra, teksa na tregon një figurë të vogël prej bukë peshku. “Ndonëse unë personalisht mendoj, që kjo nuk është mjaft e qëlluar.” Eshtë një mbajtëse çelësash me figurën e presidentit të SHBA-së Donald Trump duke hequr pantallonat dhe duke u ulur. Nëse e shtyp paksa të pasmet prej bukë peshku të presidentit, rrjedh ngadalë një masë xhele rrëshqitëse në ngjyrë kafe nga të pasmet e Trumpit si mbajtëse çelësash. Më lejoni, “Donald Trump Pooping Key Chain”.
Debra punon në Uashington në një Welcome Center, një dyqan gjigand suveniresh në Uashington DC, fare pranë Shtëpisë së Bardhë. Flamuri amerikan është anë e mbanë, mallrat këtu shkëlqejnë e ndriçojnë, janë kitch dhe krejt të padobishme, e pra një dyqan suveniresh.
Kanë kaluar dy vjet, qëkurse Donald Trump ka marrë postin, në ceremoninë e inagurimit të të cilit morën pjesë shumë më pak njerëz se sa për pararardhësin e tij Barack Obama. Shtëpia e Bardhë pretendoi, të kundërtën – kujtojmë, që fraza “fakte alternativë”, hyri në përdorim.
Letra higjenike Trump një hit eksporti
“Asnjëherë ne nuk kemi shitur kaq shumë produkte të ndryshme”, thotë Michelle, që është menaxhere e dyqanit. Edhe suvenirë të Obamës ka shitur ajo, “por ajo ishte një epokë krejt tjetër.” Nën Obama-n kishim të bënim me një reklamë klasike – shumë bluza, pulovra, filxhanë, e ndonjë kalendar. Por nuk ka pasur kalendar të tillë si tani me Trumpin – p.sh. në këtë kalendar numërohen ditët deri në fundin e mandatit të tij. Kalenderët me Obama-n ishin krejt normalë, madje objekte të dobishme për përdorim.
Në dyqanin e suvenirëve Trump ndonëse pa dëshirën e tij ka frymëzuar një gamë të re të larmishme produktesh. Në shumë prej suvenireve ironizohen eskapadat e presidentit ose pamja e tij e jashtme: kaçurreli i tij unikal, duart e vogla, replikat e tij të vazhdueshme dhe provokuese e pa përmbajtje. Kjo përbën 90% të sendeve, që blejnë turistët në dyqanin e saj, na thotë Michelle.
Ofertë ka si për tifozët edhe për kundërshtarët
Presidenti i SHBA-së si një suvenir hit eksporti, një portret i tij në letrën higjenike – pritja për largimin e Trumpit si mall, që tregtohet. Mund të mendosh, që amerikanët e kanë humbur respektin për presidentin e tyre. Michelle nuk i vjen keq për këtë.
“Ai i ka cilësuar migrantët si majmunë, i ka dehumanizuar ata. Shumë mbështetës të tij në vendin tonë janë racistë.” Të tillë janë edhe ata që blejnë suvenire në dyqanin e saj, që marrin me vete kur kthehen në shtëpi një filxhan kuq e bardhë me mbishkrimin ‘MAKE AMERICA GREAT AGAIN’. “Me këtë tregon se je dakord me politikën e tij”. E të tillë nuk janë pak, klasa të tëra nga shkollat janë sjellë këtu, për t’u mbështjellë á la Trump.
Qoftë berretat me mbishkrimin “Make America Great Again” apo topi kundër stresit me portretin e Trump-it, oferta me suvenire kontradiktore pasqyron këtu një vend të përçarë. Tifozëve të tij që prej dy vjetësh presidenti u servir realizimin e premtimeve elektorale: një marrëveshje bërthamore të anuluar, tërheqjen nga Siria, murin përgjatë kufirit me Meksikën.
Megjithatë protesta rritet. Republikanët e kanë humbur shumicën në dhomën e përfaqësuesve gjatë zgjedhjeve të ndërmjetme në nëntor, vetëm 39% e amerikanëve sipas anketimit të institutit të demoskopisë Gallup, e konsiderojnë pozitive atë që bën presidenti.
“Unë përpiqem, të mos indinjohem më lidhur me të”, thotë Michelle. “Çfarë më sjell kjo mua? Vetëm indinjatë e në fund të rritet tensioni i gjakut apo mund të pësosh edhe ndonjë infarkt. Ndërsa ai? Vazhdon të mbetet në Shtëpinë e Bardhë dhe të qeverisë vendin.”/DW/koha.net/ KultPlus.com