14 Gusht, 2018 - 12:00 pm
Sot është finalizuar iniciativa ‘’Ta rikthejmë kalldrëmin’’ e konceptuar nga pjesëmarrësit e Shkollës së Aktivizmit Urban në kuadër të projektit “Rikthimi i Qytetit’’.
Gjatë kësaj iniciative në mënyrë simbolike janë vendosur fragmente të kalldrëmit në rrugën “Adem Jashari”, duke bërë thirrje që të rikthehet diskursi publik lidhur me kthimin e kalldrëmit në këtë rrugë.
Prizreni, si qendër urbane prej shekujsh dallohet me karakteristikat arkitektonike të saj të ndërlidhura me aplikimin e materialeve tradicionale. Në mesin e tyre kalldrëmi përbën identitetin historik të rrugëve e rrugicave të tij. Si i tillë, kalldrëmi i ka dhënë karakter dhe hijeshi shesheve e rrugëve të Prizrenit në të kaluarën, dhe vazhdon ta bëj këtë edhe sot e kësaj dite në pjesët e mbetura. Në vitet e pasluftës, në disa rrugë qendrore të Prizrenit kalldrëmi është larguar dhe është zëvendësuar me asfalt. Në këtë mënyrë, në emër të lehtësimit të qarkullimit rrugor të automjeteve është sakrifikuar një nga elementet e identitetit historik të qytetit.
Të lidhur emocionalisht me kalldrëmin si simbol i qytetit të Prizrenit, të rinjtë pjesëmarrës të Shkollës së Aktivizmit Urban kanë propozuar që përmes një inicitive të tillë të përqohet mesazhi për mundësinë e kthimit të kalldrëmit në këtë rrugë. Format e aplikuara të kalldrëmit kanë karakter të përkohshëm dhe tentojnë që përmes rikthimit në kohë, kur kjo rrugë ishte e mbuluar me kalldrëm, të bëjnë thirrje te autoritetet lokale dhe qendrore të diskutojnë mundësitë e rikthimit të kalldrëmit aty ku ekzistojnë mundësitë.
Ideja për performancën publike për rikthimin e kalldrëmit është dhënë gjatë Modulit 1 të Shkollës së Aktivizmit Urban, të mbajtur në muajt prill – maj të këtij viti, gjatë së cilës të rinjtë pjesëmarrës të shkollës kanë pasur rastin të aftësohen lidhur me principet e aktivizmit urban. Kjo iniciativë do të përcillet me iniciativat e radhës të dizajnuara në kuadër të Shkollës së Aktivizmit Urban. Veprimet e propozuara trajtojnë çështje të caktuara të komunitetit në qytet, dhe u takojnë fushëveprimeve të ndryshme me fokus në hapësirat publike.
Shkolla e Aktivizmit Urban është pjesë e projektit ‘’Rikthimi i Qytetit’’ që në mënyrë specifike synon të avokojë për gëzimin e plotë të së drejtës mbi qytetin përmes një sërë platformash të aktivizmit. Nëpërmjet Shkollës së Aktivizmit Urban, projekti ofron një platformë edukimi dhe aktivizmi qytetar për të rinjtë, duke transformuar nxënësit e shkollave të mesme në qytetarë politikisht aktiv dhe social.
Projekti “Rikthimi i qytetit – E Drejta mbi Qytetin për grupet e nënpërfaqësuara të komunitetit në Prizren” përkrahet financiarisht nga National Endowment for Democracy./ KultPlus.com