3 Maj, 2022 - 10:30 pm
Takia është një lloj kësule me majë të ngushtë, prej pëlhure të bardhë dyfishe të rrahur me tegel që mbahej nga fshatarët e Myzeqesë. Me formën e saj konike dhe e zbukuruar me ‘’damarë’’ ajo ka qenë tipike për këtë krahinë dhe shërbente si mbulesë koke nga burrat në ditë të zakonshme apo festa.
Takia përdorej për të gjitha moshat dhe në çdo stinë të vitit, kryesisht pas periudhës sē pavarësisë kombëtare, kur me ndërhyrjen e patriotëve u hoq nga përdorimi festja orientale. Ajo u përdor deri në vitet 1970 kryesisht nga të moshuarit në fshatrat e Myzeqesë.
Përveç takies myzeqare njihen edhe dy tipe të tjera takiesh. Një e tillë është edhe ajo sulovare ose takia shyte, e cila ka majë në formë koni të prerë dhe është përdorur në Sulovë dhe fshatrat kodrinorë të Myzeqesë. Tipi tjetër është takia toske e cila kishte edhe ajo formë konike por me shumë qëndisma, përdorur kryesisht në krahinën e Beratit. Në Myzeqe, takia toske, përdorej për raste martese ose festa të ndryshme dhe dallohej për zbukurimet e shumta. Ajo qëndisej me gjilpërë me fije teripi të bardhë, me punë gërshet (spik) dhe 2-3 radhë tentene, thurur me gjilpërë në buzën e poshtëme. Materiali bazë për përgatitjen e takies ishte kambriku, së bashku me teripin (penjtë) dhe fitilat (fije të trasha pambuku ose rripa kambriku të prera veref dhe të dredhura).
Takiet qepeshin nga gratë në qëndra të mëdha si Berati dhe Vlora dhe tregtoheshin në fshatrat e Myzeqesë prej tregtarëve shëtitës. Nga gjurmimet etnografike rezulton se në Berat për qepjen e një takijeje myzeqare ose sulovare, tregtarët u siguronin punëtoreve materialin dhe i jepnin atyre dy lekë si shpërblim pune. Ndërsa për qepjen e një takijeje toske e cila kërkonte më shumë punë, jepeshin 5-6 lekë shpërblim. Në vitet 1925-1939, sipas vlerës së kohës, një takie myzeqare ose sulovare shitej 5 lekë, kurse një takie toske shitej për 15 lekë.
Marrë nga Muzeu Historik Fier (Foto: Takie myzeqare. Burimi: Llambrini Mitrushi, ‘’Veshje myzeqare të shk. XIX dhe të fillimit të shek. XX’’, Etnografia Shqiptare, VII, Tiranë 1976, f. 148-149; Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe, Akademia e Shkencave, Tiranë 1980, f. 1963.) / KultPlus.com