5 Maj, 2023 - 7:00 pm
Është mbajtur takimi i radhës i grupit punues për menaxhimin e integruar të qendrës historike të Prishtinës, takim me rëndësi të veçantë në validimin dhe konsolidimin e qendrës historike të Prishtinës dhe zonës së saj mbrojtëse.
Prezantimet dhe diskutimet janë fokusuar në procesin e mbledhjes së të dhënave, zhvillimin e databazës në GIS dhe analizat e bëra, të cilat kanë marrë parasysh një sërë treguesish përfshirë: identifikimin e trashëgimisë kulturore urbane; verifikimin e konsistenës së zonës urbane; identifikimin e modeleve dhe llojeve të përdorimit të tokës; identifikimin e karakterisitikave të rrjetit rrugor dhe krahasimin me dokumente historike drejt konsolidimit të kufirit historik.
Konsolidimi i kufirit historik dhe zonës mbrojtëse do të hapë rrugën drejt kategorizimit të ndërhyrjeve konzervuese dhe transformuese brenda zonës qendrore historike dhe udhëzuesit për menaxhimin dhe zhvillimin e zonës mbrojtëse.
Ky projekt i financuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, dhe i mbështetur nga UN-Habitat Kosovë, përmes Programit të Zhvillimit Gjithëpërfshirës të financuar nga Qeveria e Suedisë, synon integrimin e trashëgimisë kulturore në kuadër të planifikimit hapësinor për zhvillim të qëndrueshëm, të gjelbër dhe gjithëpërfshirës./ KultPlus.com