Taksa e Rrugës së Kombit, kosovarët braktisin bregdetin e Durrësit

31 Mars, 2018 - 1:20 pm

Taksa e vendosur për Rrugën e Kombit ka zemëruar kosovarët, të cilët janë turistët më patriotë të vendit tonë dhe kryesisht të bregdetit Adriatik.

Dje, në ditën e dytë të aplikimit të kësaj takse në tunelin e Thirrës në Kukës, e cila përkoi me fundjavën e fundit të marsit, që u shoqërua me diell e temperatura të larta në plazhin e Durrësit, numri i kosovarëve të mbërritur është në minimumin e tyre historik. Burime nga agjencitë turistike dje bënë me dije se autobusët e nisur nga qytete të ndryshme të Kosovës kanë mbërritur bosh në Durrës, ndërkohë që pritej fluks për shkak të motit të mirë. “Zemërimi i kosovarëve është i madh”, thanë shoferët e autobusëve të Kosovës, të cilët kanë paguar taksën e hyrjes 11 euro e 30 cent në kufi. “Me 19 veta nga 51 që duhet të vinin, kaq erdhën nga Gjilani këtë mëngjes. Populli është indinjuar, pasi taksa është vënë vetëm për të bllokuar kosovarët dhe kuksianët që të mos vijnë në Tiranë e në Durrës. Kjo është shumë e rëndë”, u shprehën shoferët nga Kosova. Ndërkohë që apeli i çdo biznesi në plazhin e Durrësit, duke nisur që nga hotelet e deri tek subjektet e vegla sezonalë është që qeveria shqiptare duhet të rishikojë taksën e vendosur në Rrugën e Kombit. Sipas operatorëve turistikë, vendosja e kësaj takse në këtë segment është shumë e shtrenjtë dhe frenon ardhjen e pushuesve. Sipas tyre, nëse pushuesit nga Kosova nuk do të vijnë në plazh, subjektet e plazhit falimentojnë të gjithë.

REAGIMI I KOSOVARËVE
“Unë kam një qebaptore këtu në plazh. Nëse nuk vijnë pushuesit nga Kosova, ne të gjithë falimentojmë. I mbyllim dhe ikim të gjithë nga plazhi”, tha një grua. Dy të rinj nga Kosova, Muhamed Bajrami, i cili ka përfunduar ekonomikun në Padova dhe inxhinieri Mustafa Pashtriku, po ktheheshin për në Prishtinë, pas një jave që qëndruan në Durrës në një seminar. Ashtu si të gjithë kosovarët, edhe dy të rinjtë janë të mërzitur nga vendosja e taksës për qytetarët dhe biznesin në mënyrë të njëanshme në Rrugën e Kombit nga qeveria shqiptare. “Kostoja 10 euro për një veturë të Kosovës vajtje-ardhje, është po aq e shtrenjtë sa për banorët e Kukësit, sepse Shqipëria dhe Kosova kanë pagat më ulëta në rajon si në sektorin privat, ashtu edhe për administratën publike. Biznesi ka rritje kostosh me vendosjen e taksave të tilla të pastudiuara nga ana e qeverisë shqiptare. Këto taksa kanë ndikim të drejtpërdrejtë në ekonominë e familjeve të Kosovës dhe pritet të frenojnë jo pak ardhjen e kosovarëve në Durrës. Konkurrenca është e lartë, ndaj kjo ka indinjuar të gjithë qytetarët e Kosovës, të cilët do të kërkojnë të gjejnë vende të tjera më të lira për të pushuar”, thanë dy të rinjtë nga Kosova.

Sipas tyre, taksa vendosen për mirëmbajtjen e rrugës, por është me çmime të papërballueshme për popullsinë shqiptare në të dy kahet e kufirit. Ndaj është e domosdoshme rishikimi i vendosjes së taksës në Rrugën e Kombit. Ndërkaq, drejtues mjetesh pohuan se shumica e familjeve të Kosovës kanë paga që variojnë nga 200 deri në 350 euro në muaj. Sipas tyre, 10 euro taksë veture aq sa shpenzojnë për karburantin të vijnë nga Kosova në Durrës konsiderohet e lartë dhe e tepërt për Rrugën e Kombit, e cila u ndërtua të bashkojë e jo të ndajë popullin shqiptar në dy pjesë. “Një taksë e tillë kaq e shtrenjtë nuk është as në Gjermani, që ka kosto jetese të pakrahasueshme për popullin shqiptar të Kosovës dhe Shqipërisë. Taksa të ulet, në të kundërt Shqipëria do të braktiset nga vëllezërit e saj matanë kufirit. Dhe kur njerëzit ikin, zor se kthehen më në atë vend”, deklaruan ata.

GSH / KultPlus.com

Të ngjajshme