3 Maj, 2019 - 4:17 pm
Gili Hoxhaj
Dhimbjen e ka kthyer në forcë. Mungesën e plotëson me fjalë dhe kujtime. Muret e zbrazëta, thotë se ia shtojnë vetminë, andaj e ka mbushur çdo pjesë të tyre me fotografi që përmbajnë portretet e burrit dhe katër djemve të saj. Ferdonije Qerkezi rrallë largohet nga shtëpia e saj ku për më shumë se një dekadë jeton e vetme. E mbanë gjallë dëshira për të takuar të gjithë ata që duan të njohin përditshmërinë e saj e jetën e mëparshme me familjen që iu shkatërrua nga lufta e fundit në Kosovë. Thotë se aty dëshiron t’i pres të gjithë vizitorët që vijnë për të shpalosur kujtimet e saj, në shtëpinë e saj, tashmë të shndërruar në muze. Në fletoren ku vizitorët lenë mesazhet e tyre, gjenden fjalë të shkruara në gjuhë të ndryshme të botës. Të huaj dhe shqiptarë, Ferdonija i pret me shikim të butë, me fytyrën që buzëqeshë vetëm tek dera ku i pret dhe i përcjellë mysafirët. Derisa fton mysafirët brenda, vështirë ia del që të ngjitet shkallëve të shtëpisë dhe për këtë arsye shpesh insiston që vizitorët e shtëpisë së saj, të nisen para saj pasi që ngjitja e saj për në katin e dytë është e ngadaltë. Pamja e saj përfaqëson një qëndrim stoik e të drejtë ndërsa forca që ka ngritur përbrenda rrallë e tradhton. Teksa rrëfen, lotët i mposhtë shpejtë dhe u kthehet fjalëve.
Deri në vitin 2005, thotë se çdo ditë në sofrën e saj, në kohën e drekës kanë qenë të vendosura edhe pjatat e pesë familjarëve të saj që mungonin, pasi që bashkëshorti i saj dhe djemtë që punonin në një lokal në Gjakovë, drekën gjithmonë vinin ta hanin në shtëpi. Përkundër që nga fundi i marsit të 99-ës, ata më nuk zunë vend në ulëset e tavolinës së bukës, Ferdonija e vazhdoi ritualin e saj të shtrimit të sofrës, ndërsa tregon për KultPlus se pasi që filloi të jetojë e vetme e mosha ia ka shtuar lodhjen, këtë traditë e vazhdon vetëm për festa.
Sa herë që e nis rrëfimin sigurohet që pranë vetes ta ketë edhe një shihe me ujë, të cilën e vendosë poshtë tavolinës ku qëndrojnë disa nga kujtimet e më të afërmeve të saj. Përkulet lehtë për ta ofruar pranë vetes ndërsa vazhdon t’i shpalosë në fjalë gjithçka që i është ngrirë në kujtesë. Një shishe të tillë me ujë e kishte pasur edhe gjatë ditës së 10 marsit të vitit 2005 kur kishte qëndruar gjatë gjithë ditës në Beograd, si pjesë e delegacionit nga Prishtina në bisedimet për të zhdukurit e luftës. Përveç ujit që e kishte marrë me vete, atje nuk kishte ngrenë as s’kishte pirë diçka tjetër, thotë se nuk do të mundte të përtypte e përbinte diçka që vjen nga shteti që i ka vrarë familjen. Atë ditë, thotë se në të njëjtën kohë ishte ndjerë e turpëruar se krejt çka kishte pasur si dëshmi është vetëm fotografia e saj me burrin dhe djemtë e zhdukur, ndërsa pohon se kjo është si pasojë e asaj që në Kosovë bëhet pak për dokumentimin e krimeve të luftës së viteve 90-a në Kosovë.
“Unë shkova me fotografinë ku mbaja portretet e fëmijëve dhe u turpërova, sepse ne si popull nuk përgatitemi shumë dhe as unë s’kisha shumë kohë që të përgatitem, pasi shumë shpejtë mora vesh që do të shkojë. Një serb që kishte ardhur aty e prezantoi një libër me shumë faqe e pse mos ta bëjmë edhe ne një libër me të gjitha rrëfimet e të zhdukurve nga lufta. Atë ditë, Arsim Gerxhaliu me ka ndejtur shumë afër, gjatë gjithë ditës sa kam qëndruar aty as s’kam ngrenë as s’kam pirë diçka nga tavolina e shtruar gjatë. Si mund ta ha bukën e atyre që më kanë mbytur mua?”, thotë Ferdonije Qerkezi.
Një frymëmarrje e thellë që pasohet me një psherëtime shpesh ia ndërpret fjalët. Ajo ka zgjedhur që çdo ditë ta jetojë për të rrëfyer kujtimet e jetës së saj me familjen. Ndarja e kujtimeve me të tjerët, thotë se është më e pakta që mund të bëjë për familjen e saj.
“Kjo është ma e pakta që mund të bëjë për ta, pasi që s’po mund të bëjë diçka tjetër”, thekson mes fjalëve Qerkezi.
Në mesin e shumë gjërave që gjenden në katin e sipërm të shtëpisë së saj, janë të vendosur edhe pesë dollapë prej xhamit, ku qëndrojnë rrobat e bashkëshortit Halim Qerkezi dhe katër djemve te saj: Artanit, Armendit, Ardianit dhe Edmondit. Përkundër rrobave të palosura, në sy bien rrobat e Artanit dhe Edmondit të cilat janë të vendosura për se gjati e duken goxha të dëmtuara. Me ato rroba Ferdonija i pa për herë të fundit. Rrobat i kthyen pasi që trupat e tyre u gjetën në lokacione të ndryshme, ndërsa Ferdonija i kishte marrë këto rroba dhe i kishte larë me duart e saj.
“Nuk kam pritur që të vijnë ti marrin dhe ti sterilizojnë, i kam larë me ujë të ftohtë në mënyrë që të mos i dëmtoj më shumë. I kam larë dhe si të thuash e kam hequr lëkuren e trupit prej aty. Ish shumë e vështirë po çka s’po bejke nana për fëmijë”, rrëfen mes lotëve Ferdonije Qerkezi ndërsa qëndron në dhomën e djalit të saj të madh Artanit.
Ajo i kujton në detaje ëndrrat e përgjysmuara të djemve të saj, fjalët e fundit të të birit e momentet kur po e braktiste shpresa që një ditë do t’i takojë. Shpesh shikohet në pasqyrën e rrethuar me lodrat e fëmijërisë së tyre, e lexon hartimet e poezitë që shpërfaqin dashurinë e tyre për atdheun.
Tri ditë pasi kishin filluar bombardimet e NATO-s mbi caqet serbe në Kosovë, më 27 prill të vitit 1999 forcat serbe ishin futur në shtëpinë e Ferdonije Qerkezit, aty kishin qëndruar me familjen e saj për t’ia marrë pesë anëtarë të familjes, për fatin e të cilëve Ferdonija mësoi shumë vonë. Akoma nuk di për trupin e bashkëshortit Halimit dhe dy djemve të tjerë Armendit e Ardianit. Përkundër që kishte jetuar me shumë pak shpresë, ajo kishte mbyllur veshët për çdo fjalë në adresën e shtëpisë së saj. Thotë se për një kohë kishte dashur të jetojë pa ditur asgjë.
“Një kohë pata thënë, nuk dua të marrë vesh asgjë se a janë vdekur apo janë gjallë. Dua të rri kështu, t’i pres sikur se do të kthehen të gjallë”, rrëfen ajo.
Një ditë pas fillimit të bombardimeve në shtëpinë e saj kishin ardhur për tu strehuar edhe fqinjë e të afërm pasi që shtëpia e tyre posedonte bodrum e që cilësohej si vend i përshtatshëm për strehim. Bashkëshorti i Ferdonijes, Halim Qerkezi atë mëngjes u kishte dhënë një porosi familjarëve të tij.
“Bashkëshorti Halimi na tha sot as mos hani, as mos pini, vetëm sherbet bëni sepse është ditë lufte, nuk dihet çka na pret. U zgjuam atë mëngjes, nuk pritem se çfarë do të na ndodhë pasi që shpresonim që serbët e Gjakovës nuk na ngucin pasi që kemi kaluar mirë me ta, por për fat të keq, pikërisht ata me të cilët ka punuar bashkëshorti im Halimi, po të njëjtit i morën ata për të mos i kthyer kurrë”, shpjegon fillimisht Ferdonija.
“Duhet të bëhesh e fortë sepse nuk dihet çfarë do të na ndodhë, a na marrin një apo dy apo s’na marrin hiç apo na mbysin krejt këtu vetëm, Zoti çfarë ka thënë bëhet”, kishte qenë porosia që bashkëshorti i kishte dhënë Ferdonijes.
Mëngjesin e 27 prillit, Ferdonije Qerkezi e përshkruan si shumë të trishtueshëm ndërsa në një intervistë me KultPlus, tregon në detaje krejt çka ndodhi nga mëngjesi në mesditë.
“Kur u bë ora 11 me 27 prill, policë serb të Gjakovës trokitën në derë. Na vendosen tek dyert dhe pyeten për secilin. Na thanë “Hyni brenda dhe mos mbani refugjatë”, ne hymë brenda, u lehtësuam ndërkohë bashkëshorti prapë ma përsëriti “Duhet të jesh e fortë, mund të ndodhë çdo gjë, ti duhet të jesh e fortë në çdo aspekt”, më tha dhe ashtu edhe ma dha Zoti forcën gjatë tërë këtyre viteve. Kur u bë ora 4 e mesditës, u kthyen përsëri të njëjtit policë, na vendosen kah hyrja e bodrumit, na i morën letërnjoftimet dhe na dërguan për një orë në sekretariat, pastaj na kthyen përsëri në shtëpi. Kur na kthyen na thanë “Ja lejen e letërnjoftimit dhe ruani se na duhen këta njerëz, pra ne do të qëndrojmë sonte me ju që t’ju ruajmë””, tregon Ferdonija e cila kujton se u kishte shërbyer kafe e kishte vazhduar të qëndrojë e heshtur gjatë gjithë asaj që po ndodhte. Më pas kishte dëgjuar që njëri nga policët i ishte drejtuar me fjalë ofenduese bashkëshortit të saj i cili i kishte thënë “në dorë na ke bëjë ç’të duash”. Ferdonija kujton akoma zërin e policit serb që nga ora 17:00 kishte filluar t’i thërrasë nga jashtë emrat e 11 burrave që po qëndronin në shtëpinë e saj.
Derisa shikon drejt fotografinë e djalit të saj Edmondit, në atë kohë 14 vjeçar, Ferdonija tregon se e kishte zgjuar vetë nga gjumi, nga frika se policët serbë mund të hyjnë dhe ta trembin atë. Pasi i kishin marrë burrat e strehuar aty dhe u kishin kërkuar para grave të shtëpisë, policët serb i kishin urdhëruar që ato të niseshin për Shqipëri.
Ferdonija kujton se kur kishte dalur në oborrin e zbrazët, ishin gëzuar që të paktën nuk kishin parë dikë të vrarë aty. Megjithatë pasi ishin nisur, përsëri ishin urdhëruar që të ktheheshin në shtëpi me urdhrin se asgjë nuk do tu ndodhte.
“Nuset e djemve ishin me mua, i pyeta se nga doni të shkoni dhe mu përgjigjen “Kah të shkojsh ti, ne vijmë me ty”. Jemi kthyer se bashku në shtëpi dhe nuk kemi parë ndonjë të vrarë, më pas kemi shkuar në shtëpinë e familjes time ku kemi qëndruar disa ditë”, rrëfen Ferdonije Qerkezi.
Takimi i Ferdonijes me policin serb që i kishte marrë anëtarët e familjes nga shtëpia
Ajo thotë se në gjykatë ku qëndronin policët serb, disa ditë më pas, së bashku me familjarë të tjerë kishte shkuar për të pyetur për të afërmit e saj ndërsa pasi e kishin pyetur se kur i kanë marrë familjarët e saj, kishte marrë këtë përgjigje: “U thash më 27 mars, dhe mu përgjigjen “auu, ku ta dijmë se çfarë ka ndodhur me ta””. Pak minuta më pas, Ferdonija ishte përballur me njërin nga policët që i kishte larguar nga shtëpia e saj djemtë dhe burrin, atij i kishin kërkuar t’u tregonte nëse dinte diçka për fatin e familjarëve të tyre.
“Aty karshi gjykatës, Dragani e ka pasur banesën. Dragani më pyeti ‘A po më njeh mua që kam qenë tek ti?’, i thash ‘po’. Na tha “Nëse ju tregoj sonte do ta kuptoni, nëse jo nuk do ta merrni vesh kurrë. Unë tha i kam marrë, i kam dërguar deri në polici dhe aty i ka marrë udhëheqësi i policisë. Prej asaj dite, deri në vitin 2005, asgjë nuk kam marrë vesh”, tregon Ferdonija, e cila kishte jetuar edhe pesë vite më pas me nuset e djemve të saj.
“Nuset kanë qenë të lidhura me mua dhe mes vete dhe gjithmonë më kanë dhënë forcë edhe mua. Kur ato morën rrugën e tyre, atëherë e pata edhe më të vështirë, megjithatë Zoti ma dha qëndrimin dhe mendjen e fortë që ta përballoj çdo sfidë”, shpjegon tutje Ferdonije Qerkezi.
Duket që koha për të ka ecur vetëm në ritmin kah të dërgojnë hapat e kujtimeve. Ora që qëndron në dhomën e djalit të saj, Armendit është ndalur qysh nga 27 prilli i vitit 1999. Ferodonija thotë se kur është kthyer në shtëpi pa burrin dhe djemtë e saj, ka parë që akrepat e orës më nuk kanë lëvizur.
“Kur po i shoh moshatarët e tyre, të gjithë ishin bërë më të moshuar por unë i kujtoj fëmijët e mij kur kanë qenë vetëm të rinj”, tregon mes fjalëve të saj Ferdonija.
Ferdonije Qerkezi gjithnjë kishte ngulmuar që të ruaj gjërat e vjetra, nuk kishte pranuar që asgjë të dalë jashtë shtëpisë së saj pasi që i ishte ngulitur bindja që kur dalin jashtë shtëpisë, ato humbasin.
“Gjithmonë kam pasur dëshirë t’i ruaj gjërat e vjetra që nuk janë të dëmtuara andaj gjithnjë kam dashur që shtëpinë ta shndërrojë në muze pasi që ne kemi edhe krime më të rënda që u janë humbur gjurmët, ne vetë i humbim gjurmët dhe themi që askush s’po merret me ne”.
Ferdonije Qerkezi thotë se një nga dështimet më të mëdha të Qeverisë së Kosovës ndër vite është se nuk kanë arritur të bëjnë asgjë për drejtësinë e të vrarëve në luftën e fundit në Kosovë.
“Ata po i dënojnë djemtë tanë që kanë mbrojtur vendin e tyre kurse kriminelët serb po hynë dhe po dalin lirshëm në Kosovë. Thirrja ime për institucionet më të larta si vendore dhe ndërkombëtare është që të dënohen kriminelët serb, jo vetëm ata që kanë kryer krim në familjen time por të gjithë familjeve në Kosovë”, thotë Qerkezi.
Qerkezi thekson se është e dhimbshme sa herë vjen koha që paralajmërohet ardhja e pelegrinëve serb në Gjakovë.
“Atyre u paska ardhur dëshira për t’i parë objektet e tyre fetare, e mua nuk më paska marr malli ta shoh familjen time. Objekti a qenka më i rëndësishëm se njeriu?, objektin njeriu e ndërton, kurse për ata objektet janë më të rëndësishme se njerëzit”.
Ndërsa thotë se ajo çfarë mbanë në jetë është respekti nga të gjithë qytetarët e ata që vijnë ta vizitojnë, thotë se kjo ia dëshmon që mundi i djemve të saj nuk ka shkuar kot.
“Respekti mua po më bën edhe më të fortë dhe më krenare, njerëzit nuk po ma humbin mundin e djemve që kanë dhënë jetën për këtë vend”, thotë Ferdonija ndërsa sytë i mbushen lot e kokën e ngritë më lart.
“Tash jetoj vetëm me Zotin dhe i falënderoj të gjithë ata që vijnë të më vizitojnë”, thotë krejt në fund Qerkezi.
Ferdonije Qerkezi është 66 vjeçare dhe jeton në Gjakovë. Ajo akoma pret që ti kthehen edhe eshtrat e dy djemve të tjerë dhe bashkëshortit, të cilët janë pjesë e 1653 personave të zhdukur në Kosovë përgjatë vitet 1998-1999-2000./ KultPlus.com