13 Qershor, 2019 - 5:48 pm
Vizita e ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara në shtetin e Kosovës për nder të 20 vjetorit të çlirimit nga okupimi serb bëri jehonë jo vetëm në vend por edhe në mediet ndërkombëtare, shkruan KultPlus.
Bill Clinton në mendjen e shqiptarëve është projektuar si një hero, imazhi i të cilit nderohet dhe mbetet në kujtesë si një shpetimtar i popullit dhe vendit tonë. Emri Bill Clinton mishërohet me të mirën, të ndershmen dhe me paqen. Ky nuk është vetëm projektim i një populli, por një figurë reale e gjallë e cila meriton respekt dhe vlerësim të përjetshëm.
Përveç figurës së tij, një emër tjetër shumë i dashur për shqiptarët është edhe ish-sekretarja amerikane Madeleine Albright e cila po ashtu iu bashkua kësaj vizite në Kosovë.
Edhe pse e lodhur nga mosha dhe në një nxehtësi të lartë, Albright nuk hezitoi të qëndrojë para qytetarëve të Kosovës duke mbajtur fjalim frymëzues. Me një dashuri të veçantë dhe me një thjeshtësi të mprehtë prej një gruaje të fuqishme u lartësua edhe njëherë nga shqiptarët e Kosovës.
Mirësjellja dhe respekti i presidentit Bill Clinton ndaj zonjës Albright u pa me një përshtypje të veçantë i cili kur u thirrë emri i tij, ai me një hov të papritur dhe buzëqeshje u ngrit në këmbë dhe u afrua pran saj.
Mirëpo, ajo që ra në sy por nuk u veçua shumë gjatë parakalimit të tyre në shesh është ecja të bashkuar dorë për dore që ky akt reflekton fuqi dhe respekt.
Ky imazh ishte mjaft mbresëlënës sepse dha një mesazh të veçantë, që të dy ishin të bashkuar para 20 vitesh kur dhanë urdhërin për çlirimin e Kosovës dhe të tillë të bashkuar dhe të fuqishëm janë edhe sot. Së bashku arritën një mision të madh./KultPlus.com