16 Qershor, 2023 - 9:30 am
Punimet karakteristike zgjojnë kuriozitetin e turistëve të huaj, të cilët në mjaft raste dëshirojnë të mësojnë mënyrën e punimit në gur të skalitur apo drugdhendje. Për turistët që vizitojnë qytetin e gurtë të ushtrosh zanatet e traditës është diçka tërheqëse dhe interesante.
“Me të vërtetë ndihem i kënaqur kur merrem me punime të tilla. Mendoj se është një eksperiencë ndryshe dhe mjaft interesante,” – u shpreh një turist.
“Besoj që është një detaj që duhet përmendur për Gjirokastrën sepse nuk është vetëm kala, gur dhe ushqime por është edhe këto lloj zanatesh, të cilat kanë bërë të mundur ndërtimin e qytetit dhe këto janë baza e ruajtjes dhe promovimit duke ruajtur dijen për zanatet bëjmë të mundur që të mbajmë kulturën gjallë dhe të vazhdojmë ta promovojmë qytetin,” – tha guida turistike, Blerim Topulli.
Mjeshtrat artizanë shprehen se turistët janë të interesuar për mënyrën e punimit të suvenireve dhe elementë të ndërtimit të traditës gjirokastrite.
“Të huajt më tepër vijnë për të provuar një eksperiencë ndryshe. Këta dy të rinj që kemi sot në profesionin e tyre merren me kompjuter, është larg kësaj por thjesht për të thyer atë monotoninë e tyre, vijnë duke bërë turizëm dhe provojnë një eksperiencë të re. Ndërsa gjatë shpjegimit që i bëjmë këtu lidhur me pjesën e shtëpive karakteristike të Gjirokastrës, me pjesën e arredimit që kanë pasur sidomos me elementët e gurit, elementët e drurit domethënë duke i shpjeguar dhe duke ua bërë , duke i dhënë një ekspoze të Gjirokastrës të vërtetë me ato misteret që ka mendoj se e bën edhe më të dëshiruar këtë eksperiencën që këta vijnë edhe marrin,” – tha mjeshtri drugdhendës, Viktor Nurçe.
Zhvillimi i turizmit po nxit edhe rikthimin e zejtarisë dhe punimeve karakteristike në Gjirokastër ndërsa këtë vit janë çelur dhe disa qendra të reja të artizanatit në zonën historike të qytetit. /atsh/ KultPlus.com