9 Maj, 2019 - 12:30 pm
Shumica e të rinjve në Kosovë apo Serbi nuk kanë kontakte me njëri-tjetrin. Projekti i Deutsche Welles, #Generation99 kërkon të nxisë dialogun mes tyre, sepse ata janë e ardhmja, tha Adelheid Feilcke në Prishtinë.
Studentët e Universitetit të Prishtinës nuk kanë mundësi që të takohen shpesh me studentë të komunitetit serb në Kosovë, dëshira për të bashkëpunuar me ta është e pranishme në mesin e tyre edhe përkundër asaj që ka ndodhur gjatë luftës në Kosovë, u tha gjatë diskutimit të organizuar nga Deutsche Welle në Fakultetin e Filologjisë në Universitetin e Prishtinës në Prishtinë.
Projekti i Deutsche Welles #Generation99 i cili ka nisur këtë vit në 20-vjetorin e përfundimit të luftës në mes të Serbisë dhe Kosovës për të ndërtuar dialog në mes të rinjve shqiptarë dhe serbë të të dyja shteteve ishte tema, për të cilën është biseduar me studentët në Fakultetin e Filologjisë në Prishtinë.
Takimet dhe diskutimet me të rinjtë në rajon janë të fokusuara në prezantimin e rrëfimeve të të rinjve të të gjitha komuniteteve në Kosovë dhe Serbi, për të kaluarën e afërt dhe perspektivat e ardhshme në lidhje me bombardimet në vitin 1999, si dhe pikëpamjet për të ardhmen e marrëdhënieve serbo-shqiptare.
Brezat e rinj ndërtojnë të ardhmen
Duke qenë se Deutsche Welle ka progamin në gjuhën shqipe, në gjuhën serbe dhe në të gjitha gjuhët e rajonit, me anë të projektit #Generation99 është synuar që të arrihet dialog në mes të rinjve e publikut në të gjitha gjuhët e këtij rajoni. Pikënisja e këtij projekti ka qenë që t’i vihet frymë e re asaj se çfarë ka ndodhur para 20 vitesh në Kosovë shpjegoi Adelheid Feilcke, drejtore e seksionit Europa në DW: „Ndërtimi i dialogut në mes të publikut të të gjitha vendeve të rajonit ka qenë baza në të cilën e kemi menduar se çfarë mund të bëjmë në 20 vjetorin e luftës së Kosovës në vitin 1999, sepse ju e dini vetë se çfarë ka ndodhur në këtë vit në rajon. Më anë të këtij projekti kemi dashur që t’i japim një frymë të re asaj se çka ka ndodhur 20 vite më parë, është pikërisht përgjegjësia që keni ju si breza të rinj, sepse ju do ta ndërtoni të ardhmen.” tha ajo.
Para studentëve të Universitetit të Prishtinës, dega e gazetarisë dhe shkencave politike janë prezantuar rrëfimet e të rinjve në Serbi dhe Kosovë për pikëpamjet e tyre mbi marrëdhëniet serbo-shqiptare.
Gazetari i DW Bahri Cani nga redaksia shqipe si dhe Ivan Djerkovic nga redaksia serbe kanë treguar për një numër të madh të komenteve negative në rrjetet sociale, që kanë ardhur si reagim pas publikimit të videove të projektit Generation99. Ndërsa, nga studentët mostrajtimi i shtetit të Kosovës nga Serbia si shtet i barabartë në dialog në mes tyre në Bruksel shihet si pengesë për normalizimin e marrëdhënieve në mes të të dy shteteve.
Përqendrimi në shtet dhe jo në të kaluarën
Mundësitë për të njohur të rinj serbë nuk janë të shpeshta, takimet kryesisht me ta bëhen nëpërmjet projekteve të ndryshme që organizohen në Kosovë. Studenti Adrian Amini, i cili studion shkenca politike në Fakultetin e Filozofisë në Prishtinë thotë se ka pasur takime me serbë nga Beogradi dhe vetëm atëherë kur është takuar me ta e ka kuptuar se sa mendjehapur janë ata dhe se çfarë mendojnë ata për Kosovën. Ai kërkon që mos të jetohet në të kaluarën. „Më mirë është që ta shohim interesin e shtetit tonë, se sa të fokusohemi gjatë gjithë kohës në atë se çfarë ka ndodhur në të kaluarën”, tha ai.
Në anën tjetër ka pasur reagime të tjera nga studentë të tjerë në sallë. Liridona Bregovina e mendon të kundërtën nga ajo se çfarë mendon Adriani. “S’mund të them që rinia e Serbisë është mendje hapur përderisa unë jam takuar me të rinj serbë gjatë tryezave dhe takimeve të ndryshme dhe ata as që kanë pranuar të ulen me ne në një tavolinë e lëre më të flasin me ne. Jo gjithherë ata kanë qenë të hapur për këtë gjë”, tha ajo.
Shumica e studentëve kurrë nuk kanë pasur kontakte me serbët, dhe vetëm një numër i vogël i tyre kishin këtë mundësi përmes programeve të ndryshme të shkëmbimit të njoftojnë serbë. Gjithçka që të rinjtë dinë për raportet dhe situatën e asaj kohe lidhen me rrëfimet e pindërve apo kur kanë mësuar më vonë, se familjarët e tyre janë vrarë në luftë nga ushtria serbe. E kjo gjë ndikon edhe në pikëpamjet dhe qasjen që e kanë të rinjtë kosovarë ndaj të rinjve serbë dhe anasjelltas/DW. / KultPlus.com