30 Nëntor, 2020 - 10:24 pm
Fundjava shenjoi festat më të rëndësishme kombëtare: Pavarësinë dhe Çlirimin e Shqipërisë
Teatri Kombëtar hapi në këtë përvjetor, arkivin historik me shfaqjet e vëna në skenë dekada më parë. Vepra të autorëve të njohur, sjellë në skenë nga regjisorë, si: Pirro Mani apo Arben Kumbaro dhe në role, aktorët e Teatrit Kombëtar. Ditën e Çlirimit ( 29 Nëntorin) teatri e kujtoi me shfaqje madhështore të arkivës, duke theksuar vijon se prej tyre, niset me dramën e njohur “Arturo Ui”.
“Të dashur miq, me rastin e Ditës së Çlirimit, do të kujtojmë së bashku, shfaqje madhështore nga arkiva historike e Teatrit Kombëtar. E nisim me dramën “Arturo Ui”, shkruar nga Bertold Brecht dhe regji nga i madhi Piro Mani. Premierë më 4 mars të 1971”, përshkruhet në faqen zyrtare të teatrit, ku janë publikuar dhe fotografitë me vepra vite më parë.
Një nga ngjarjet më të bujshme në historinë e teatrit shqiptar ishte vënia në skenën e ish-Teatrit Popullor e dramës “Arturo Ui”. Në origjinal titulli është më i gjatë: “Der aufhaltsame Aufstieg des Arturo Ui”, në përkthimin e shkëlqyer të Robert Shvarcit (1932-2003) si “Historia e një karriere që mund të frenohej”, vepër e autorit gjerman Bertold Brecht (1898-1956).
Me regji nga Piro Mani, skenograf në vepër ishte Agim Zajmi (1936-2013). E veçantë është se në rolin e Arturo Ui interpretonte i madhi Kadri Roshi (1924-2007). Po ashtu luanin plot kolosë të tjerë të skenës si Vilson Gjocaj, Ahmet Pasha, Lazër Filipi, Ndrek Shkjezi, Qenan Toro, Tomorr Guçe, Shkëlqim Basha, Pjetër Gjoka, Gjovalin Gjoka, Luan Qerimi,Pandi Siku, Fatos Haxhiraj, Prokop Mima, Ndrekë Luca, Xhemil Tagani, Antoneta Papapavli, Esma Agolli, Xhafer Xhafa, Avni Rada, Mhill Pali, Sulejman Pitarka, Avni Resuli, Sheri Mita, Lazër Vlashi, Sulejman Dibra, Avni Resuli, Reshat Arbana, Sandër Prosi, Roland Trebicka, Gjon Karma, Anastas Kristofori, Violeta Manushi, Drita Pelingu, Margarita Xhepa, Mimika Luca dhe Hasan Fico.
Një tjetër dramë në arkivin e TK është dhe “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”. Teatri shprehet se premiera e saj i takon vitit 1972. ““Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, një dramë nga Ismail Kadare, nën regjinë e të madhit Piro Mani. Premiera 10 maj 1972”, bën me dije TK. Piro Mani lindi në 14 prill të vitit 1932 në Korçë. Një nga personalitetet më të shquar në historinë e teatrit shqiptar. Regjisor dhe pedagog i shkëlqyer, për 25 vjet punoi në Teatrin Kombëtar. Studioi në Institutin Shtetëror të Artit Teatror, GITIS, në Moskë. Pas kthimit në atdhe u emërua regjisor i teatrit “Andon Zako Çajupi”, Korçë, të cilin e drejtoi me sukses për rreth tetë vjet. Që nga 1967- 1992 ka qenë regjisor i Teatrit Kombëtar, ku ka vënë me dhjetëra pjesë teatrale.
Një tjetër vepër nga Brecht
Shfaqja tjetër që ka dalë nga arkivi historik i Teatrit Kombëtar është një tjetër vepër e autorit Bertold Brecht, premierë në 1990. ““Frikë dhe mjerim në Rajhun e tretë”, një dramë shkruar nga Bertold Brecht, nën drejtimin regjisorit të mirënjohur Arben Kumbaro. Premiera 12 janar 1990”, shkruhet në statusin e TK në “Facebook”, ndërsa ka publikuara dhe foto nga vepra në skenën teatrore vite më parë në 1990.
Bertold Brecht ka lindur 10 shkurt 1898 në Augsburg të Gjermanisë. Ai ishte një praktikues gjerman i teatrit, dramaturg dhe poet. Brecht pati përvojat e tij të para teatrale në Mynih, duke luajtur si aktor, debutimi i tij u ndikua fuqishëm nga ekspresionizmi. Në vitin 1928 Bertold Brecht arrin një sukses të madh me “Opera për tre grosh”, ribërje e dramës popullore angleze të Shekullit XVIII e J. Gay (“Opera e lypësit”). Brecht është njohur dhe si një nga dramaturgët më me ndikim të shekullit XX. Ai themeloi teatrin e famshëm “Berliner Ensemble”. Bertold Brecht është autori i poezive të shumta që mund të konsiderohen ndër më të bukurat e lirikës gjermane të shekullit të njëzetë. Në dramat e tij më të famshme përmendim edhe ato me titull “Jeta e Galileut”, “Nënë Kurajo dhe Fëmijët e saj”, “Njeriu i mirë i Szechëan”, “Rrethi prej Shkumësi i Kaukazit”, etj. Në 14 gusht të vitit 1956 Bertold Brecht ndahet nga jeta./ KultPlus.com