16 Qershor, 2019 - 2:39 pm
Tekstili më i vjetër prej mëndafshi, i zbuluar në Shqipëri është më se 2600 vjeçar.
Kështu deklaron studiuesi dhe restauruesi Frederik Stamati, i cili vjen me një tjetër dëshmi të trashëgimisë sonë kulturore.
Sipas tij, ky tekstil mëndafshi është zbuluar në Apoloni, brenda një urne prej bronzi.
“Urnën nuk po e paraqesim, gjithsesi ajo është e ekspozuar në Muzeun arkeologjik të Apolonisë. Natyrisht që nuk ka qenë një thërrime, si edhe ka mbetur, por një veshje që hidhej krahëve. Është shumë e hollë, në çdo 10 cm ka më shumë se 1000 fije mëndafshi. Ka pamjen e ngjashme me atë të thurjes së kanistrës”, tregon Stamati.
Sipas tij, brenda në urne ishte kthyer në një pluhur të zi, ku kishte shpëtuar vetëm kjo pjesë e ekspozuar në fotografi.
“Një pjesë e pëlhurës së mëndafshtë kishte dale nga urna dhe i ishte veshur asaj nga jashtë. Ruhet si imazh mineralesh korrozioni, të cilin nuk e kemi hequr. Nëse do t’i shikoni me kujdes fotot, do të dalloni se në këtë “bllok” janë dy tekstile. Ai në foton e dytë është endur më rrallë. Bën pjesë në tekstilet e endura me dy lisa, ose si i quan sot industria tekstile, garniturë”,- nënvizon Stamati.
Stamati shprehet se në urnë kanë qenë futur veç të tjerave dy tekstile, të përdorura si veshje të asaj kohe./ KultPlus/