28 Shtator, 2017 - 9:24 am
Një përvjetor miqësie, sa diplomatike aq politike, por edhe kulturore përkon me vjeshtën kulturore, ajo që konsiderohet prej vitesh si “tetori gjerman” në Shqipëri. “Ky është viti i njëmbëdhjetë që organizohen javët e kulturës gjermane në Shqipëri”, thuhet në deklaratën e djeshme të ambasadës gjermane, duke veçuar faktin se “kjo vjeshtë do të interesante, sepse vjen përsëri “Tetori gjerman”, vjeshta kulturore gjermane në Shqipëri.
Filma dhe letërsi, teatër, muzikë, balet, diskutime dhe workshope – edhe për vitin 2017 programi i aktiviteteve ofron diçka për çdo shije”. Deri më 16 nëntor janë parashikuar veprimtari intensive që realizon dhe opusin politik: 30-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Gjermanisë dhe Shqipërisë. Drejtuesi i sektorit të kulturës dhe shtypit, Johannes Dietrich, u shpreh për mediat mbi programin duke thënë se do të ketë “ekspozita që sjellin në kujtesë histori të ndryshme, aktivitete operistike dhe teatrale, seminare, shkëmbime traditash.
“Aktivitetet do të jenë intensive dhe do nisin më 30 shtator me një Requiem Gjerman në sallën e Katedrales Ortodokse në Tiranë. Koncerti do jepet në bashkëpunim me Teatrin e Operës dhe Baletit. Do të ketë shfaqje të kërcimit Chiping në Teatrin Kombëtar, dhe do të vijojë me premierën e teatrit “Jashtë derës” në Teatrin Eksperimental “Spahivogli”, do të shfaqet filmi “Lamtumirë Europë” nga Mari Shchrader e më gjerë”, tha Dietrich.
Ndërsa ambasadorja gjermane, Susanne Schutz, foli për intensifikimin e marrëdhënieve midis
Shqipërisë e Gjermanisë. “Në harkun kohor të 30 vjetëve, marrëdhëniet midis Gjermanisë dhe Shqipërisë hera-herës kanë qenë disi abstrakte. Ndërkohë që vitet e fundit marrëdhëniet politike janë intensifikuar ndjeshëm, ne kemi vendosur që këtë vit t’i japim më shumë ngjyrë kulturës.
Dhe në konceptin gjerman kulturë do të thotë të lëvizin njerëzit. Kjo është kultura. Përveç aktiviteteve klasike artistike do të ketë edhe shumë tryeza, debate e seminare ku do të jetë në vëmendje mësimi dhe përdorimi i gjuhës gjermane”, u shpreh Schutz.
Mbrëmjet gjermane nisin të shtunën me koncertin “Një Requiem Gjerman”, në sallën e Katedrales së Re Ortodokse, ku bëhet fjalë për rekuiemi Gjerman i Brahmsit, që prej shfaqjes së parë të plotë të tij në vitin 1868 në Katedralen e Bremenit, hyn në mënyrë të padiskutueshme te veprat kryesore të historisë së zhanrit oratorio. Vepra mbart një rëndësi tejet të madhe jo vetëm prej strukturës së dendur muzikore të pazakontë të saj, por dhe për shkak të tekstit, në të cilin Brahmsi përmbledh vargje kryesore nga Dhjata e Vjetër dhe Dhjata e Re, të përkthyera nga Martin Lutheri, në mënyrë të tillë që idetë qendrore “trishtim” dhe “ngushëllim” të lidhen qartas me njëra-tjetrën. Për një hapje festive të Tetorit Gjerman, Ambasada Gjermane, së bashku me TKOBAP Tiranë, sjell në skenë këtë vepër në një bashkëprodhim gjermano-shqiptar. Orkestra dhe Kori i Operës do të drejtohen nga dirigjenti gjerman Ekhart Wycik, Profesor në Shkollën e Lartë të Muzikës Weimar, shkruan mapo.al. Krahas sopranos shqiptare Erjona Gjyzeli dhe Eva Golemi, rolin e dytë solo e merr baritoni gjerman Henryk Bohm.
Shfaqje kërcimi: “Chipping”
Koreografja Anna Konjetzky për herë të parë në Shqipëri
Gjithçka vibron: Në “chipping” të Anna Konjetzkyt skena është pa pushim në lëvizje. Kuba rrëshqasin tutje-tëhu – herë ngadalë, pa u vënë re fare, herë shpejt dhe dukshëm duke u rrokullisur mbi gjithçka. Trupi duhet t’u përshtatet vazhdimisht rrethanave të reja, të kërkojë rrugën e tij në një copëz hapësire lëkundëse. Çdo hap një akt balance i ri, çdo lëvizje e rimenduar, e risjellë në ekuilibër, çdo rrugë e rigjetur. Koreografitë e Anna Konjetzkyt sillen rreth pikës lidhëse mes kërcimit, instalacionit dhe performancës, janë në limitet fizike dhe shumë shpesh të strukturuara nga një regji drite dhe skene të sofistikuar. Me ftesë të Qendrës Gëte shfaqja e kërcimit “Chipping” jepet për herë të parë në Shqipëri. Përveç kësaj, Anna Konjetzky dhe kërcimtarja Sarah Huby do të organizojnë një workshop, ku do t’u përcjellin kërcimtarëve shqiptarë eksperiencat e tyre./ KultPlus.com