30 Qershor, 2019 - 9:30 am
Brenda vilës tre katëshe, të mbushur me nënkalime, të Enver Hoxhës, është thuajse ashtu siç ishte kur lideri komunist i Shqipërisë u nda nga jeta në 1985.
Sipas të përditshmes britanike “The Guardian”, asokohe, Hoxha sundonte me diktaturë staliniste, në vendin që e kish shndërruar në një prej më të izoluarve dhe më represivëve në botë.
Në erën e komunizmit, e gjithë zona rreth shtëpisë së Hoxhës, ishte e izoluar nga policia dhe agjentë sekretë. E njohur si blloku, zona funksiononte si një lloj Kremlini pa mure, në zemër të Tiranës, rezervuar për elitën e partisë dhe familjet e tyre.
Tani, shkruan “Guardian”, blloku është një nga zonat më të frekuentuara të Tiranës, e mbushur me bare, klube nate dhe restorante. Në mesin e tyre, është edhe shtëpia fantazmë e Hoxhës, e paprekur dhe e mbyllur për publikun.
Shqipëria e ditëve të sotme, shkruan “Guardian”, kërkon anëtarësimin në BE pas shumë vitesh në të cilët njerëzit kanë preferuar të harrojnë të shkuarën.
Por tani, shqiptarët po provojnë të përballen me trashëgiminë e diktatorit dhe po mendohet si të hapet shtëpia e diktatorit për publikun. Brenda saj, muret janë dekoruar me art socialist, shumë dhoma janë pajisur me televizorë shqiptarë të vjetër, dyert e dhomës së gjumit të diktatorit kanë veshje që izolon tingujt ndërsa në bodrum, ka një pishinë dhe një derë sekrete që çon në një tunel në të cilin Hoxha “paranojak” mund të largohej në rast sulmi.
Kryeministri Edi Rama, nënvizon “Guardian”, po mendon prej kohësh për dilemën se çfarë duhet të bëjë me shtëpinë, pasi edhe druhet se do të ishte njësoj e papërshtatshme si mbajtja në gjendjen aktuale, ashtu edhe shkatërrimi i plotë.
“Është e vështirë të gjesh një zgjidhje të mirë, kur e shkuara është ende aty por ti i shërben të ardhmes”, thotë ai.
“Guardian” shkruan se edhe ndërtesa të tjera që simbolizojnë regjimin e Hoxhës janë rikonceptuar për përdorim publik, ndër të cilat edhe zyrat qendrore të sigurimit, që tani janë kthyer në muze. Po ashtu edhe bunkerët. Tani, janë aktuale ndërkohë planet për të transformuar piramidën e ndërtuar në fund të viteve 80 si një muze për diktatorin e ndjerë. Por pavarësisht planeve të mëdha, nuk ka ende një monument të denjë për viktimat e Hoxhës, shkruan Guardian.