Thesari raguzian i fshehur në amfiteatrin e Durrësit

30 Qershor, 2019 - 11:00 pm

Në vitin 2006 gjatë gërmimeve arkeologjike të kryera në amfiteatrin e Durrësit doli në dritë ajo që sot njihet si thesari raguzian.

Restauruesi Frederik Stamati thotë se thesari prej 549 copë monedhash argjendi ishte futur në një poçe qeramike të glazuruar. Poçja ishte e thyer, siç edhe shihet në foto. Thyerja sipas tij nuk është e tanishme. Rezulton që thesari të ketë pasur një histori interesante. “Nga radiografitë me rreze X rezultoi se monedhat ishin hedhur në ‘dy duar’. Pastaj ishin fshehur poshtë dyshemesë së dhomës. I zoti i thesarit vdiq pa e treguar vendin. Me kohë shtëpia u shemb. Ata që ndërtuan më vonë, gërmuan themele të reja. I shkuan përbri poçes, por që nuk e vunë re nga hedhurinat e ndërtimit. Dhe ashtu e lanë, të groposur. Po të kishin gërmuar 2-3 gisht më anash, do ta kishin gjetur. Përsëri pati shembje dhe thesari nuk u gjet, deri sa u ra për hise arkeologëve”, thotë Stamati.

Monedhat janë shumë të brishtëzuara nga qëndrimi në tokë, thyhen edhe po të duash t’i pastrosh me penel të butë. Argjendi është i përzier me bakër.
“Monedhat e thesarit tashmë ruhen shumë mirë në tabaka të posaçme, me folezësa të veshura me pelush, punë e bërë me shumë përkushtim nga numizmatja Shpresa Gjongecaj Vangjeli”, thotë Stamati. Ai shton se problemet e restaurimit ishin të shumta dhe të komplikuara. U ‘përzjenë’ shumë shkenca, si kimia, fizika bërthamore, metalurgjia etj. Puna ishte shumë-shumë delikate, si rikthimi i strukturës, pastrimi, konservimi etj., etj., por u arrit.
Thesari është me monedha të Raguzës, të qarkulluara gjatë viteve 1510-1530. Pra, në atë kohë Durrësi zhvillonte tregti me Raguzën. Në monedha në njërën anë paraqitet shën Blazius, shenjti mbrojtës i Raguzës, që mban në dorë maketin e portit, njëlloj si ai që vizitojmë sot/ ATSH/ KultPlus.com

Të ngjajshme