Thethi shënon rekord të vizitorëve këtë vit

12 Dhjetor, 2017 - 8:43 pm

Sipas statistikave të nxjerra nga Administrata e Zonave të Mbrojtura (AdZM) Shkodër, që mbulon Parkun Kombëtar të Thethit, vlerësojnë se Parku Kombëtar i Thethit, ka qenë tepër i vizitueshëm këtë vit turistik.

Në park janë futur rreth 80 mijë turistë. Nga këta, 39000 janë vendas dhe rreth 41000 janë turist të huaj.

Ka një diferencë midis vizitorëve të huaj dhe atyre vendas. Kjo për arsye se Thethi, nëpërmjetë mediave është prezantuar si një destinacion i rrallë turistik ku ndërthuret natyra e bukur me reliev malor, me burimet ujore, me historinë dhe etnokulturën epike të zonës.

Vizitorët kanë qenë vendas, të ardhur nga Kosova, por edhe nga mbarë Europa kryesisht ajo Lindore.

Turistë të shumtë kanë ardhur dhe nga Shtetet e Bashkuara.

Në bukuritë e rralla të vendit tonë, Thethi pa dyshim zë vend kryesor.

Ai gjendet në mes të Alpeve me një bukuri mahnitëse, në veri të Shqipërisë, shtatëdhjetë kilometra nga qyteti i Shkodrës, i mbrojtur nga tre male Radohima, Sheniku dhe Papluku, me lartësi mbi 2500 m mbi nivelin e detit.
Pasuritë natyrore të kësaj zone janë të lidhura së bashku edhe me trashëgiminë kulturore dhe historike të banorëve vendas, duke formuar kështu, bazat më të rëndësishme për zhvillimin e turizmit. / KultPlus.com

Të ngjajshme