17 Shkurt, 2018 - 12:12 am
Nëse në gjithë botën ka rënë entuziazmi për SHBA-në pas ardhjes në pushtet të Donald Trumpit, asgjë nuk ka lëkundur besimin e madh të Kosovës për këtë shtet.
Kjo është hyrja e tekstit të revistës prestigjioze “Time” që e quan Obsesion marrëdhënien e Kosovës me Amerikën. Dashuria e madhe e kosovarëve për këtë shtet është ilustruar nëpërmjet fotografive të fotoreporterit spanjoll, Cesar Dezfuli.
Në këto fotografi zë vend, natyrisht, statuja dhe sheshi “Bill Clinton” e butiku me emrin e gruas së tij. “E ky në mes është Klinton Bajgora, nga fshati Dobratin i Podujevës. Ai ishte fëmija i parë i familjes pas luftës dhe babai nuk kishte dilemë për emrin”.
Në shkrim paraqitet edhe një nga villat e deputetit Ramiz Kelmendi, për të cilat thuhet se janë kopje të ndërtesave qeveritare amerikane. E gjithë shtëpia e Qamil Brahimit në komunën e Ferizajt duket e dekoruar këtu në nderim të Ditës kombëtare të Amerikës, 4 korrikut.
Po në Ferizaj, Ruzhdi Kuçi i njohur si amerikani, e ka gjithë shtëpinë të dekoruar, madje me fotografi të shumë ish-presidentëve amerikanë. Sipas “Time” kosovarët edhe armët i dekorojnë me simbole amerikane, e edhe stërvitin me simbole amerikane.
“Kurrë nuk kam parë diçka të tillë. Kisha dëgjuar për statujën e Bill Clintonit, dhe më pas kur e dëgjova për Amerikanin, u intrigova më shumë dhe mendoja se do të ketë akoma më shumë. Edhe kishte”, ka thënë Dezfuli. Mediat kryesore ndërkombëtare janë në Kosovë këto ditë për shkrime speciale për Kosovën në përvjetorin e pavarësisë.