5 Korrik, 2019 - 9:30 pm
Festivali i Muzikës së Vjetër “Vox Baroque” i cili i kushtohet tërësisht repertorit barok rikthehet në edicionin e 6-të në oborrin e muzeut Etnografik në Berat.
Koncerti “Vox Baroque” vjen për publikun beratas në datat 6 – 15 korrik me repertor tërësisht të kompozitorëve më përfaqësues të barokut europian, luajtur me instrument origjinalë të kohës nga Jonatans Montero, Jung Kim dhe Jusuf Beshiri.
Synimi i këtij festivali është të përhapë muzikën baroke të luajtur me instrumente origjinalë, në respekt të plotë të stilit, rregullave dhe mënyrës së interpretimit të asaj kohe.
I konceptuar të ndikojë njëherësh në zhvillimin rajonal, nëpërmjet edukimit muzikor, por edhe të kthehet në një nxitës të politikave drejt zhvillimit të turizmit kulturor, duke kthyer vëmendjen dhe interesin në disa nga monumentet e rëndësishme të trashëgimisë kulturore shqiptare.
Në edicionin e parë, ky festival solli risi në zhanrin e muzikës, duke trajtuar muzikën e vjetër dhe stilin barok në disa nga qytetet kryesore të Shqipërisë, konsideruar si qendra të rëndësishme të trashëgimisë kulturore. /a.a/