1 Maj, 2018 - 7:30 pm
Kryeqyteti i Shqipërisë është një qytet i këndshëm dhe i gjallëruar. Një destinacion gjithnjë e më popullor që kurrë nuk pushon së habituri. Ka shumë arsye përse ia vlen të vizitosh Tiranën, një nga më kryesoret është prania e bollshme e veprave të artit të rrugës.
Grafitet kanë ndryshuar fjalë për fjalë fytyrën e qytetit, i cili sot është një nga më të ngjyrosurit në Europë.
Kështu e nis shkrimin e saj gazetarja dhe udhëtarja e njohur italiane, Francesca Masotti, të publikuar në blogun e saj “Francesca on the top World”.
Në fakt, përgjatë rrugëve të Tiranës, shpesh ndeshni vepra shumëngjyrëshe të artit, shumë prej të cilave janë bërë nga artistë lokalë të rrugës me mbështetjen e administratës së qytetit.
Ashtu si Franko, një artist nga Vlora, qyteti i tretë më i madh në vend, një lloj pionieri i artit shqiptar të rrugës. Veprat e tij, me vlerë shumë simbolike, janë të shpërndara në të gjithë qytetin: prej rreth një viti ai punon për bashkinë e Tiranës për të dekoruar kryeqytetin me ngjyrat e tij. Ato janë grafite reflektuese: ato shpesh përfaqësojnë grupet më vulnerabël dhe të dobët të popullsisë, si fëmijët dhe të moshuarit në vështirësi.
Një nga format më origjinale të artit të rrugës është ai që përfshiu, gjithmonë me mbështetjen e administratës lokale përmes “Ndërmarrjes dhe Dekorit – bashkia Tiranë”, një projekt dekorimi të qytetit i konceptuar nga bashkia e Tiranës, dekorimi i rrugëve të kryeqytetit.
Përqendrimi më i madh i këtyre veprave është vendosur në Bllok, lagjja më ‘cool’ e Tiranës, në rrugën “Myslym Shyri”, një nga rrugët më elegante në qytet dhe bulevardi “Bajram Curri”, rruga që kalon përgjatë lumit Lana.
I gjithë qyteti është një përzierje ngjyrash, shkrimesh, mbishkrime: është e pamundur të mos jetë e zhytur në stilin e Tiranës, i cili megjithëse jo aq i bukur sa edhe kryeqytetet e tjera të Europës Lindore, ka një bukuri unike dhe të paimitueshme.
Turneu në artin e rrugës nuk mund të mos përfshijë më në fund një ndalesë në Pazarin e Ri, tregu i ri i qytetit. Është përuruar në mars të vitit të kaluar dhe është tregu më i rëndësishëm i frutave dhe perimeve në Shqipëri.
Krijimi i tregut, afër të cilit ka edhe restorante të shkëlqyera të peshkut ka përfshirë rizhvillimin e të gjithë zonës përreth: ndërtesat dhe rrugët janë pikturuar me modele karakteristike gjeometrike tipike për Ballkanin. Rezultati është një përzierje spektakolare e ngjyrave./ ATA / KultPlus.com