2 Gusht, 2017 - 11:50 am
“Parku i Artit”, një projekt që rivitalizon parkun natyror dhe kthen në një hapësirë arti u prezantua sot në ambientet e Ministrisë së Kulturës. Projekti titullohet “Shokët dhe engjëjt”, një projekt për një hapësirë-kopsht dedikuar politikanit dhe mendimtarit të famshëm italian, Antonio Gramsci-t në qytetin e Tiranës, konceptuar nga Alfredo Pirri, artist dhe arkitekt me ekspozita ndërkombëtare.
Në fjalën e mbajtur me këtë rast ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro u shpreh se “kjo projekt-ide sjell një rifunksionalizim të parkut për një pol të ri kulturor dhe për të parë në dritën e filozofisë së Antonio Gramshit skulpturat e realizmit socialist”. “Ky do të jetë një debat i gjerë kulturor, lidhur me figurën e Antonio Gramshit”, shtoi ajo.
Vetëm një vit e gjysmë më parë Ministria e Kulturës në bashkëpunim me Universitetet e Arkitekturës prezantoi konkursin për përshtatjen e territorit të ish-Kinostudios në Kopshtin e Artit. Qëllimi i projektit ishte krijimi i një hapësire ekspozimi të përkohshme dhe të përhershme për veprat e artistëve të rinj e më gjerë. Një ide e hershme në platformat kulturore të MK-së është kthimi i territoreve të brendshme në një park për art dhe medium, për të gjitha stinët, për aktivitete sociale, kulturore e ekspozita të hapura, për ngjarje rinore e jo vetëm, pa kufij gjinish dhe formash, madje edhe ato më të guximshmet.
Kumbaro shtoi se “rikualifikimi i parkut në një skenë të hapur nuk është një koncept statik”. “Punuam për rikualifikimin e Kinostudios, duke e sjellë jo vetëm një qendër zyrash, por edhe në në një pol kulturor dhe social. Sot kemi disa institucione të artit duke filluar që nga QK e Fëmijëve e deri tek TKOBAKVP. Morëm propozimin nga artisti Pirri për të krijuar një mesazh me një filozofi të caktuar. Ky projekt ka mbështetjen e Regione Puglia-s dhe Fondacionit “Antonio Gramshi””, tha ajo.
Sipas Alfredo Pirrit, “qëllimi është që Antonio Gramsci të kujtohet jo vetëm nëpërmjet ‘një monumenti’ po nëpërmjet realizimit të një hapësire publike të karakterizuar nga prania e artit, por që ka edhe një vlerë qytetare dhe simbolike shumë të fortë: një “kopsht” që strehon brenda tij një instalacilon të përhershëm që na jep një paraqitje mes natyrës dhe historisë”. Një lloj peizazhi natyral në të cilin elementi i egër dhe spontan i natyrës bashkohet me elemente botanikë dhe artistikë, fuqimisht të projektuar në mënyrë të atillë që të krijojnë një ekuilibër në mes asaj që rritet në natyrë në mënyrë të mëvetësishme dhe formave të artit që janë në gjendje të dëshmojnë për integrimin me historinë dhe kulturën.
Bëhet fjalë për një vend me vlerë që është tokë në pronësi publike e cila është ngjitur dhe i përket godinës së Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë, aktualisht kjo tokë është thuajse e braktisur dhe në pritje për t’u kthyer në një ambient publik. Kombinimi i emrit të Antonio Gramsci-t me një institucion shtetëror i nivelit më i lartë në fushën e kulturës, do të risillte, në një farë mënyre, në ‘shtëpi’ mendimtarin dhe politikanin e famshëm italian duke kontribuar në zgjerimin e rolit të atij që u konsiderua interpret absolut i cili për herë të parë reflektoi mbi rolin dhe detyrat e intelektualëve në kohët moderne dhe do ta bënte Shqipërinë vendin e parë në botë që i dedikon një vepër të qëndrueshme Antonio Gramsci-t, i cili aktualisht ka frymëzuar me dhjetëra nisma politike, kulturore dhe artistike në të gjithë botën, por që mbeten vepra të momentit për të mos thënë (me qëllim por pozitivisht) jetëshkurtra.
Politikani dhe mendimtari i famshëm italian, Antonio Gramsci konsiderohet simbol i rezistencës ndaj fashizmit, ndërsa të menduarit dhe shembulli praktik i të jetuarit të tij, është aktualisht në qendër të vëmendjes së studiuesve, institucioneve politike dhe kulturore në të gjithë botën. Familja e tij është me origjinë shqiptare, dhe vjen në fakt nga Gramshi, një vend jo shumë larg Tiranës dhe prej aty zhvendosen në Itali ku lind Antonio më 1891. / KultPlus.com