24 Shkurt, 2020 - 9:00 pm
“Tirana e vjetër”, që nga antikiteti deri në vitin 1945, vjen e ilustruar nëpërmjet fotografive nga historiani, studiuesi dhe koleksionisti Gazmend Bakiu në një libër. Një punë kërkimore, në shumë se në 20 vite nga gjetja e fotografive, identifikimi i personazheve që retushoheshin shpeshherë, sepse nuk i shkonin përshtat regjimit komunist apo edhe fotografimi i atyre pak monumenteve historike, gjurmët e të cilave nuk janë zhdukur plotësisht, siç janë Kalaja e Petrelës apo ajo e Prezës, është vetëm pak nga puna, që ka bërë historiani i njohur, i cili rrëfimin e tij për “ReportTV” e nis duke shpjeguar se si u shpall Tirana kryeqytet, në këtë 100-vjetor të saj.
“Kongresi i Lushnjës është një nga ngjarjet më të rëndësishme ose më e rëndësishmja e 100 viteve të fundit. Në atë kohë gjendja e Shqipërisë ishte alarmante. Ishte ndarë në zona pushtimi. Në Konferencën e Paqes në Paris po flitej për një rindarje tjetër të vendit. Në këto kushte Kongresi i Lushnjes mori vendime shumë të rëndësishme në mbrojtjen territoriale të vendit, por nuk e bëri Tiranën kryeqytet. Këshilli i Naltë edhe qeveria u nis drejt Durrësit. Marshimi filloi në 6 shkurt 1920 dhe shkoi drejt Durrësit, kaloi në Kavajë dhe atje u pengua nga forcat e pushtimit italian. U detyrua që të kthehet drejt Shijakut dhe në Qafë të Kasharit i priti kryetari i bashkisë së Tiranës, Ismail Ndroqi. Kështu në 11 shkurt të vitit 1920 Tirana u shpall kryeqytet i përkohshëm”, rrëfen Gazmend Bakiu.
Në këtë rrugëtim rol të rëndësishëm ka pasur edhe ministri i Brendshëm i kohës, Ahmet Zogu, i cili siç tregon Bakiu, ka treguar vendosmëri para trupave italiane.
“Çështja e kryeqytetit nuk ishte mbyllur. Në zgjedhjet e dyta parlamentare, dhjetor 1923, tema kryesore e fushatës elektorale ishte se cili do të ishte kryeqytet i Tiranës. Në garë ishin Tirana, Vlora, Elbasani, Shkodra edhe Durrësi. Ahmet Zogu me partinë e tij popullore, ku ishte kryetar, donte që kryeqytet të ishte Tirana. Tirana kishte dhënë provat. Ishte në një pozicion ideal gjeografik dhe ishte një trevë me patriotizëm të shquar të tiranasve. Zgjedhjet i fitoi Ahmet Zogu dhe partia popullore dhe parlamenti kishte 102 anëtarë. Por në qershor të vitit 1924 ndodhi rebelimi i ushtrisë, ku opozita parlamentare mori pushtetin me dhunë. Kryeministër u bë Fan Noli, që qeverisi në kushtet e mungesës së parlamentit”, thotë historiani, duke evidentuar se shtetet e Perëndimit nuk e njohën Nolin, sepse kishte ardhur në pushtet pa votim popullor.
“Prandaj, në 24 dhjetor të vitit 1924 kemi rikthimin e Ahmet Zogut me përkrahësit e tij, 62 vende në parlament. Këtë ata e quajtën triumfi i Legalitetit, duke thënë se ishin shumica. Në janar të vitit 1925, 62 anëtarët e Kuvendit Kushtetues u mblodhën dhe në 5-vjetorin e zhvillimit të Kongresit të Lushnjës në 21 janar 1925 Shqipëria u shpall për herë të parë Republikë. Në 31 janar Kuvendi Kushtetues shpalli kryeqytet të përhershëm Tiranën edhe Ahmet Zogun President. Tirana sanksionohej kryeqytet në nenin 6 të Kushtetutës. Ndonëse, deri më sot, kushtetuta është ndryshuar disa herë, por ky nen asnjëherë”, tregon studiuesi.
Dëshira edhe pasioni i Gazmend Bakiut për të zbuluar më shumë për të shkuarën e Tiranës, nuk është rastësore. Ali Bakiu, babai i tij, ka qenë kryetar i kryeqytetit në vitet 1945-‘46.
“Nuk është vetëm se babai ka qenë kryetar bashkie, por edhe im gjysh, Hasan Bakiu, ka pas hapur librarinë e parë në vitin 1908 në Tiranë, që u dogj në vitin 1910 nga armata e Shefqet Turgut Pashës. Në 1914 u dogj sërisht nga Haxhi Qamili për t’u rindërtuar në vitin 1916. “Libratoria” do të ishte jo vetëm e para, por edhe e vetmja librari deri në vitin1926. Përpos kësaj në vitet 1997-‘98 nisa të merresha me këtë studim, sepse doja që të kuptoja më shumë, se si kishte ardhur deri në këto ditë Tirana”, rrëfen Bakiu, i cili zhvillimin e kryeqytetit në ato vite nuk e shihte në mënyrë shumë pozitive.
“Nuk më pëlqenin fort zhvillimet që kishte marrë Tirana, edhe shumë nga objektet historike ishin zhdukur, Pazari i Vjetër ishte 300-vjeçar, Kisha e Ungjillëzimit ishte e vitit 1874, Kisha Katolike e vitit 1856, Xhamia e Vjetër ishte e vitit 1614. Këto objekte nuk ekzistonin më! Unë i kisha parë vetëm në fotografi, prandaj nisa një punë të gjatë kërkimore”.
Teksa e pyesim, se çfarë ka mbetur nga “Tirana e Vjetër” edhe çfarë mund të ruhet, historiani thotë se: “Pak gjëra! “Tirana e Vjetër” është ajo e para vitit 1945. Kemi një zonë që janë disa vila tek Kalaja e Tiranës që mund të rivitalizohen, kemi Akademinë e Shkencave dhe Teatrin e Kukullave, që u ngrit nga shteti shqiptar në vitin 1926. Teatri i Kukullave është ndërtesa e parë administrative pasi Tirana u bë kryeqytet i përhershëm dhe nisi transformimi i saj. Por, ajo që vëmë re sot është përqendrimi i lartë i popullsisë. Asokohe kryeqyteti kishte më shumë gjelbërim, sepse shteti ishte pronar i çdo gjëje dhe e vinte dorën lehtë ku të donte për të ndërtuar një lulishte dhe një shkollë”.
Libri “Tirana e vjetër” ribotohet i ripërpunuar nga shtëpia “Mediaprint” për herë të tretë për lexuesit.v.d./r.k./Shqiptarja.com