15 Janar, 2018 - 1:31 pm
Masakra e Reçakut njihet si një nga masakrat më të trishtueshme që njeh historia e luftës në Kosovë. Më 15 janar 1999, në fshatin e Shtimes, forcat serbe kryen një masakër të tmerrshme kundër banorëve të këtij fshati, duke mos kursyer as të moshuar, gra e fëmijë, shkruan KultPlus.
Sot 19 vite pas, ky fshat numëron 45 varre nga kjo masakër. Masakra e Reçakut ishte vetëm një prej shumë të tjerave që po kryheshin gjithandej në Kosovë nga forcat serbe.
Përmes kësaj masakre bota mori alarmin e fundit se duhej të ndërhyhej në Kosovë. Pas kësaj masakre u mobilizua edhe forca më e madhe ushtarake në botë – NATO, e cila rreth dy muaj më vonë nisi bombardimet kundër forcave serbe në Kosovë e në gjithë atë që quhej Jugosllavi. Kjo fushatë e bombardimeve nga ajri dhe lufta e UÇK-së nga toka rezultuan me tërheqjen e trupave serbe nga Kosova dhe përfundimin e luftës në qershor të vitit 1999.
Ndërkaq, shefi i misionit të OSBE-së, Wiliam Walker kishte shkuar në vendin e krimit shumë shpejt dhe kishte drejtuar gishtin nga lugina e masakrës duke e përcaktuar krimin me tri fjalë: krim kundër njerizimit.
Woker pasi vizitojë fshatin u ngjitë lartë te Gropa e Bebushit dhe derisa po i afrohej luginës së ngushtë u tmerruar kur i pa kufomat e tre burrave të moshuar dhe në ato momente deklaroi: “Për nga pamja duket si ekzekutim. Duket se njerëzit pa kurrfarë vlere për jetët e njerëzve kanë vrarë këta njerëz, që mua me duken si bujq, si punëtorë, si fshatarë, që definitivisht nuk kanë merituar të vdesin kështu..”
Më pastaj Woker vazhdoi rrugën drejt luginës së vdekjes, ku po qëndronin të shtrirë me duar të shtangur e trupa të sakatosur kufomat tjera të civilëve të ekzekutuar barbarisht.
“T´i shohësh kufomat kështu me fytyra të shkatërruara, që si duket janë bërë nga armët që janë mbajtur afër kokave të tyre, t´i shohësh 15 në një gropë, dhe në një mënyrë të ekzekutuar, mendoj se më nevojiten disa minuta para se të përcaktohem se çka dua të them”, pohoi Woker. Dhe, menjëherë në konferencën me gazetarë pa ngurrim ai deklaroi “Nga ajo që pashë nuk ngurroj të përshkruaj ndodhinë si masakër dhe krim kundër njerëzimit…kjo është ngjarja më trishtuese në jetën time…”. /KultPlus.com