Tradita e festimeve të Shën Gjergjit në Horën e Arbëreshëve

23 Prill, 2021 - 9:31 pm

Në muajin prill të çdo viti, komuniteti arbëresh i “Piana degli Albanesi” kremton festën e San Giorgio-s, ose të Shën Gjergjit.

23 prilli është dita që i mbledh arbëreshët në Kishën e San Giorgios, në të cilën besimtarët marrin bekimin me Relikten e Shenjtë. Kulti i San Giorgio-s është një traditë popullore që paraqitet me relikten e një kalorësi përballë dragoit, simbol të së keqes, i cili është përhapur që nga viti 1000 dhe është konsideruar gjithnjë shenjt mbrojtës i kalorësve, ushtarëve etj., që thirret kundër murtajës, gjarpërinjve helmues dhe kundër së keqes në përgjithësi.

Për të dytin vit radhazi, komuniteti i Horës së Arbëreshëvet, për shkak të pandemisë, do të kufizohet vetëm me ritet kishtare dhe nuk do të organizojë festimet tradicionale. Këtë fakt e pohon edhe Z. Vito Fiorenza, President i Komitetit të San Giorgios në “Piana degli Albanesi”, i cili flet edhe për traditat dhe mënyrën sesi përcillet kjo festë nga brezi në brez.

Njëherësh, ai thekson se sërish këtë vit “me të gjithë vullnetin tonë të mirë nuk mund të organizojmë asgjë, përveçse të marrim pjesë në ritet e ndryshme festuese, që do të zhvillohen në Kishë, duke respektuar distancat dhe masat e duhura”. /diasporashqiptare/ KultPlus.com

Të ngjajshme