Tradita e tavaneve dekorative në banesat karakteristike të Beratit

14 Prill, 2024 - 10:30 am

Tavanet dekorative janë tipike të shtëpive të moçme të Beratit. Mjeshtrat e dikurshëm të përpunimit të drurit e ngritën artin e gdhendjes në shkallë shumë të lartë dhe krijuan vepra të vërteta artistike. Një pjesë e madhe e tyre ka mundur t’i mbijetojë kohës.

DRTK Berat sjell si shembull të këtyre perlave të mjeshtërve beratas, tavanin e banesës së Spiro Angjeliut, Monument Kulture, Kategoria I. Banesa gjendet në lagjen Goricë të Beratit.

Banesa e Spiro Angjeliut hyn në tipologjinë e banesës me çardak në qendër, shembull mjaft interesant i arkitekturës popullore në Berat. Ky tip banese e merr emërtimin nga njësia kryesore kompozicionale, çardaku, i cili me vendin dhe me funksionet e tij luan një rol të dorës së parë në karakterizimin e banesës.

Para disa vjetësh, banesa i është nënshtruar një restaurimi nga specialistët e DRTK Berat, të cilët riparuan çatinë me miratimin përkatës nga institucionet e specializuara: Këshilli Shkencor në IMK e Këshilli Kombëtar i Restaurimeve pranë Ministrisë së Kulturës. / KultPlus.com

Të ngjajshme