Tradita shqiptare e Mirditës: Njëri nga 11 krushqit duhej të ishte këngëtar

21 Maj, 2023 - 8:31 pm

Kushdo që në kullën e tij mirditase, në fëmijërinë e largët, ka parë të varur një çifteli, nuk e ka të vështirë të kuptojë se Ansambli “Mirdita” më parë se në skenën e pallatit të Kulturës Rrëshen, apo në kalanë e Gjirokastrës, ka qenë i shpërndarë gjithandej ndër mirditorë, shtëpi më shtëpi e vatër më vatër, deri në rrëzë të Munellës. Ndaj ishte aq e dëgjuar shprehja “shtëpi e çifteli”.

Skena e parë ishte oda, veçmas ajo e dasmës, ku njëri nga 11 krushqit duhej të ishte këngëtar. Njeriu i kullës në shkrep shpesh në mbrëmjet familjare, apo të kremtesh popullore, merrte çiftelinë dhe niste t’i luante gishtat dhe t’i thoshte fjalët. Nuk kishte rëndësi sa mirë dinte ta bënte ai këtë gjë, çiftelia, lahuta apo sharkia ishte pjesë e kulturës së tij të jetesës.

Përndryshe malësori kishte shpirt prej artisti dhe ai e shfaqte këtë thelb të tijin herë pas here. Ndaj dhe bariu në mal kishte me vete fyellin dhe merrte melodi baritore njëlloj si në antikitetin ilir, grek, romak. Ai gjithë ditën e ditës pas tufave në kullosë gdhendte dhe bishta frashëri për veglat e punës, dhe bilbila, zumare, me të cilat luante melodi baritore.

Bjeshkët tona janë ateliea e parë për shumë artistë të shquar të folkut, pse jo dhe për kompozitorët që i ulen motivet e bjeshkëve mbi pentagram. Mirditori krijonte melodi e muzikë gjer me kumbonët e bagëtive, ku kishte dhe një punishte të tyre prej bakri te Marlaskajt e Kuzhnenit, ku kumbonët që kishin shtegtuar deri në Shkumbin tingëllojnë prej shumë vitesh në arenën artistike-folklorike të Ansamblit “Mirdita”. Kësisoj Ansambli i sipërthënë është jo vetëm kënga e vallja e traditës, por dhe veshja, kostumet, ritualet, lojërat popullore, shenjat apo elementet dalluese, nga perkrenarja e princërve te kaculita e bariut etj.

Pjesë nga parathënia e Ndue Dedaj për monografinë e Ansamblit “Mirdita”/KultPlus.com

Të ngjajshme