Trafikimi i trashëgimisë kulturore jo më vetëm si dëm kolateral

23 Maj, 2019 - 1:57 pm

Konferenca rajonale për Luftën kundër trafikimit të trashëgimisë kulturore është mbajtur këtë muaj në Künstlerhaus në Munih. Mbi 70 pjesëmarrës kanë udhëtuar nga rajoni i Ballkanit Perëndimor dhe vendet e tjera të Evropës për të marrë pjesë në këtë konferencë.

Duke pasur para sysh relevancën dhe rëndësinë e temës, në konferencë morën pjesë shtatë zyrtarë nga Kosova – nga Ministria e Drejtësisë, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, Zyra e Prokurorit Themelor në Prishtinë, Ministria e Kulturës, Dogana dhe Policia e Kosovës.

Objektivat e konferencës

Qëllimet kryesore të konferencës ishin vetëdijesimi i publikut dhe subjekteve ligjore në lidhje me trafikimin me trashëgimi kulturore dhe ngritja e të kuptuarit të mënyrës së veprimit të grupeve të krimit të organizuar të përfshira në aktivitete kriminele. Folës ekspertë nga organizata, siç është Europol, Spanish Guardia Civil, universiteti Oxford, UNESCO, UNODC, dhe Organizata Botërore e Doganave kanë ndarë njohuritë e tyre se si kriminelët falsifikojnë dhe kontrabandojnë dokumentet për prejardhjen dhe mbi ndikimin kulturor, historik dhe social që kanë këto veprime.

Trendet e ndryshueshme paraqesin sfidë globale

Ekspertët janë pajtuar për rëndësinë e alokimit të resurseve, ndërmarrjen e hetimeve, vetëdijesimin politik dhe përmirësimin e grumbullimit dhe këmbimit të informatave për të luftuar tregtinë e paligjshme me objekte kulturore. Për të realizuar këtë, autoritetet duhet të jenë në hap me trendet e trafikimit – që kanë kaluar nga tregu fizik në atë elektronik, duke ndryshuar këmbimin e vëllimit të vogël të artikujve me vlerë të madhe tek vëllimi i madh me artikuj me vlerë të vogël. Globalizimi i tregtisë ofron mënyra të reja të dërgimit dhe një mori të kontakteve. Trafikimi i materialit nuk dokumentohet mirë dhe mund të bëhet me një rrezik të vogël. Shkatërrimi sistematik i trashëgimisë kulturore nuk shikohet më si dëm kolateral, por cak i qëllimshëm për përfitim monetar.

Fatkeqësisht hetimet shpesh mbesin në nivel lokal me burime të kufizuara. Kjo paraqet sfidë specifike për autoritetet dhe thekson rëndësinë e bashkëpunimit dhe harmonizimit ndërkombëtar. Lidhjet në BE janë tejet të rëndësishme për të identifikuar rrjetet kriminele dhe caqet me vlerë të madhe.

Instrumentet ligjore dhe strategjitë për parandalim

Nga shënimet, trajnimet dhe vetëdijesimi i ngritur do të përfitojnë zyrtarët doganorë dhe policia kufitare si linja e parë e mbrojtjes kundër trafikimit me trashëgimi kulturore. Këta zyrtarë nganjëherë punojnë në kushte të rrezikshme, me informata të kufizuara dhe pritje joreale e të qenët ekspert në një fushë të gjerë siç janë kafshët e egra, mjekësia dhe historia. Vëmendje kërkojnë edhe procedurat policore për rastet e vjedhjes së trashëgimisë kulturore dhe trafikim pasi që ligjet aktuale mund të jenë relevante vetëm për periudha të caktuara kohore, kanë përjashtime për objekte të caktuara dhe funksionojnë sipas ideologjisë themelore – “gjithçka është e ligjshme, përderisa nuk është e kundërligjshme” – dhe duke vështirësuar kështu hetimet si dhe dëshmimin e krimit.

Vendosja e trafikimit me artikuj kulturor në agjendë

Fondacioni Kulturor i Shteteve Federale të Gjermanisë është duke ndërmarr hapa për të luftuar raportimin e dobët dhe dënimet joadekuate nga institucionet. Fondacioni mbështet programin hulumtues që zbulon dhe dokumenton rrugët e trafikimit, ruajtjen digjitale dhe qasjen mobile tek databaza e trashëgimisë kulturore si dhe udhëzues i praktikave më të mira për autoritetet qeveritare dhe grupet e interesit. Kjo dhe mënyra tjera të motivimit ndihmojnë për të lëvizur para, duke bashkuar policinë dhe ekspertët për të krijuar lidhje ndërkombëtare dhe standarde dhe për të vendosur trafikimin me trashëgimi kulturore si prioritet politik.

Konferenca u organizua nga projekti i IPA/2017 Lufta kundër krimeve të rënda në Ballkanin Perëndimor, i bashkëfinancuar nga Bashkësia Evropiane (DG NEAR) dhe Ministria e Gjermanisë Federale për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (BMZ). / KultPlus.com

Të ngjajshme