30 Maj, 2018 - 10:09 am
Kryeministri i vendit ka zgjedhur të urojë mirëmëngjesi të gjithë ndjekësit e tij në rrjetin social “Facebook” përmes një përmbledhje në 120 sekonda të transformimit fantastik të Alpeve shqiptare, nga një zonë e harruar në një destinacion turistik.
“MIRËMËNGJES
dhe me këtë përmbledhje në 120 sekonda të transformimit fantastik të Alpeve shqiptare, nga një zonë e harruar, e braktisur dhe e izoluar, në një destinacion të jashtëzakonshëm turistik gjithëvjetor, ju uroj një ditë të mbarë
Pikat turistike Thethi, Boga, Razma, Vermoshi, Lëpusha, Fushëzeza, Valbona, Rragami, Currajt e Epërm, etj, pjesë e Alpeve shqiptare padyshim kanë magjepsur këdo që i ka shëtitur”, shkruan Rama.
Turizmi malor po tërheq gjithnjë e më shumë të apasionuar pas tij, ku padyshim kryesojnë turistët të huaj dhe Alpet shqiptare pjesë e harkut alpin europian janë sot hapësira turistike malore më e rëndësishme.
Zhvillimi dhe promovimi i zonave turistike është objektiv i qeverisë shqiptare, e cila ka hartuar një masterplan për ti bërë ato më lehtë të aksesueshme.
Masterplani synon zhvillimin e potencialit turistik të të gjithë rajonit dhe shfrytëzimin e tij në mënyrë të qëndrueshme e në harmoni me natyrën me qëllim që të gjenerohet rritje ekonomike afatgjatë për banorët e zonës dhe pse jo edhe për ekonominë kombëtare.
Me bukurinë e tyre, ndërthurjen në harmoni mes maleve, Alpet shqiptare me të drejtë janë cilësuar nga shumë turistë të huaj ndër më të bukurat në botë.
Por, pavarësisht bukurive që këto zona ofrojnë, mungesa e infrastrukturës i bën ato më pak atraktive. Dhe pikërisht për t’i bërë më të aksesueshme këto zona nëpërmjet këtij masterplani përcaktohen ndërhyrjet e nevojshme dhe investimet për rrugë, ujësjellës, shkolla, qendra shëndetësore, infrastrukturë urbane dhe transport publik.
Po ashtu, po punohet për hartimin e strategjie të mirëfilltë marketingu për hartimin e një oferte të larmishme turistike dhe orientimin e investimeve të biznesit, që të maksimizohen vlerat e zonës edhe nga pikëpamja historike e kulturore. Ndërkohë Banka Botërore dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit po punojnë bashkë për projektin e ri për lidhjen e rrugëve rajonale dhe rurale.
Bordi i Drejtorëve Ekzekutivë të Bankës Botërore miratoi një muaj më parë projektin e ri që do të ketë një financim prej 50 milionë dollarësh dhe që parashikon rehabilitimin e 55 km rrugë me qëllim përmirësimin e aksesit në disa qendra bujqësore dhe turistike në vend. Pjesë e këtij projekti është edhe segmenti rrugor Qafë Thore-Theth./ KultPlus.com