Transformohet qendra historike e Gjirokastrës

24 Shkurt, 2019 - 7:30 pm

Rilindja Urbane në qendrën historike të Gjirokastrës vazhdon, ndërkohë që çdo javë ka një zhvillim të ri në rrugën tanimë të hapur të transformimit të mjediseve tregtare apo të shtëpive tradicionale në bujtina mikpritëse për turistët.

Qendra Historike e Gjirokastrës, shpallur në vitin 2005 trashëgimi botërore e UNESCO-s, është kthyer në një kantier punimesh restauruese, duke nisur me rikualifikimin e kalldrëmeve karakteristike të Qafës së Pazarit, rehabilitimin e 6 shesheve që lidhen në mënyrë integrale me rrugët e kalldrëmit, ndriçimin publik, përmirësimin e hapësirave të gjelbra deri te rrapi 100 vjeçar, simboli që ka shërbyer si pikë takimi për banorët që në vitet ’30.

Projekti ka për qëllim realizimin e një rrjeti të ri të infrastrukturës nëntokësore, restaurimin e kalldrëmeve ekzistuese, integrimin e hapësirave publike përreth zonës së projektit me qëllim kthimin në një zonë pedonale, duke menaxhuar lëvizjen e kontrolluar të automjeteve të shërbimit publik dhe rezidencial, si dhe përmirësimin e hapësirave të gjelbëruara e shesh pushimeve, duke theksuar tipare me vlerë të qendrës historike.

Kryeministri Edi Rama inspektoi nga afër punimet restauruese të kalldrëmeve, ku do ruhet tipologjia midis gurëve të bardhë dhe gurëve gri, ndërsa në të njëjtën valë transformimi janë përfshirë edhe shtëpitë e vjetra karakteristike, si dhe bizneset buzë rrugicave ku po ndërhyhet.

“Janë 10 blloqe ku tashmë ka filluar komplet aktiviteti turistik dhe artizanal. Të gjitha këto që ishin dikur dyqane të vjetra dhe të papërdorura janë kthyer në dyqane artizanale. Shtëpitë e vjetra ka individë të interesuar për t’i blerë dhe për t’i kthyer në guesthouse. Të 5 rrugicat kanë njohur ndërhyrjet restauruese me blloqet përkatëse të dyqaneve, fasadave, çative komplet. Para sezonit do të mbarojë pjesa e kalldrëmit, me qëllim që të mos pengojmë sezonin turistik,” shprehet deputetja e qarkut Gjirokastër, Mirela Kumbaro.

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/297982190916373/

Kryeministri Rama deklaroi se të gjitha shtëpitë e vjetra jo vetëm të Gjirokastrës, por edhe të Beratit do t’i nënshtrohen projektit të restaurimit, për t’u shndërruar më pas edhe në bujtina për vizitorët dhe turistët.

“Jemi duke strukturuar një program vetëm për shtëpitë e Gjirokastrës dhe të Beratit, si fillim për shtëpitë karakteristike, për të stimuluar që të rimerren dhe të kthehen në bujtina dhe aktivitete fitimprurës në mënyrë që të ruhen, nga një anë duke e bërë zero taksën e tatim fitimit, që është 5% tani. Dhe po ashtu për të krijuar një fond që të aplikohet me projekte. P.sh., unë dua ta kthej këtë në bujtinë, kam nevojë për një mbështetje financiare dhe po shohim mundësinë ta bëjmë të kombinuar me bankat dhe me buxhet në mënyrë që të jetë një lloj kredie me interesa shumë të ulëta dhe me afat të gjatë që të mund të përballohet me sukses,” u shpreh Kryeministri Rama.

Pjesë e projektit rehabilitues është edhe xhamia e famshme e Pazarit, e cila edhe pse monument kulture nuk ka pasur asnjëherë ndërhyrje restauruese.

Prodhimet bio “Edua” në zemër të Pazarit të Gjirokastrës

Manjola Shehaj, e cila prej vitesh me investimin e saj i shërben promovimit të produkteve bio nëpërmjet brandit Made in Albania “E Dua” ia ka arritur qëllimit që prodhimet shqiptare t’i bëjë të njohura anekënd botës.

E pozicionuar në zemër të qendrës historike të qytetit të gurtë, ndër më të vizituarat në vend nga turistë nga e gjithë bota, kjo sipërmarrëse ka arritur të jetë tashmë pjesë e projekteve për rivitalizimin e Pazarit dhe rikthimit të tij në funksionet tradicionale, një atraksion turistik i cili do të promovojë edhe produktet karakteristike të zonës.

Në ambientet tërësisht të rikonstruktuara me mbështetjen nga Skema Kombëtare përmes një financimi prej 1,9 milionë lekë, ekspozohen produktet bio më tipike të zonës.

“Është një përfitim shumë i madh për mua. Unë kisha një dyqan të vogël dhe nëpërmjet këtij granti arrita të bëj një gjë të madhe që për turistët është targeti kryesor,” shprehet Manjola.

Sipërmarrësja me përvojë në fushën e tregtimit dhe marketimit të produkteve tradicionale, pasi teston produktet më të parapëlqyera në tregun lokal, mbledh nëpër punishte të vogla produktet tipike shqiptare si çaj dhe erëza të ndryshme, raki, mjaltë, komposto, gliko, verë, vaj ulliri, etj. Produktet janë nga prodhues të vegjël në zonat rurale të jugut, të bëra në mënyrë artizanale dhe etiketuara në logon “E Dua”.

Në këtë investim janë përfshirë fermerët e zonës dhe të rinjtë në mbledhjen e bimëve medicinale dhe aromatike./

Të ngjajshme