30 Maj, 2020 - 9:30 pm
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama deklaroi sot se qeveria që ai drejton është mbrojtësja më e fortë e trashëgimisë kulturore në historinë e këtyre 30 viteve.
Kryeministri publikoi pamje nga “Bazilika e Linit” një mozaik mjaft i rrallë që daton në shek. V-VI, tepër i rëndësishëm për trashëgiminë kulturore.
“Kur trashëgimia kulturore është autentike dhe jo një produkt i fantazisë së atyre që kujtohen për të vetëm kur i thërret kushtrimi politik i të parëve, qeveria jonë është mbrojtësja më e fortë e saj në historinë e këtyre 30 viteve”, deklaroi Kryeministri Rama.
Mozaiku i ekspozuar i Bazilikës së Linit, e cila ndodhet rreth 20 kilometra larg Pogradecit përbëhet nga disa kolona të punuara me mjeshtëri si dhe mozaikët me motive të njohura si zogjtë, gërshetat, kryqi i thyer apo lulet, por edhe elementë të rrallë për zonën dhe kohën.
Ngjyrat më të përdorura për zbukurim janë e bardha, e zeza, e kuqja, kafja, jeshilja, e verdha dhe portokallia. Për ndërtimin e mozaikëve janë përdorur gurë të vegjël në formë kubikësh (tesera) me përmasa 1×1 cm, të cilët kanë më së shumti përbërje gëlqerore, por nuk mungojnë as kubikët prej mermeri, ata prej tulle apo kubikët prej brumi qelqi.
Përveç pjesës së Pastoforit, pjesa tjetër e Bazilikës qëndron ende nën rërë. /Atsh /KultPlus.com