6 Gusht, 2017 - 3:30 pm
Nga agjencitë fotografike (Agjencia Rol) na vjen prej vitit 1911 një foto e rrallë dhe makabër. Tre ushtarë, që me gjasë janë turq, pozojnë të qetë para një tavolinëze ku ekspozohen dy koka të prera, që normalisht duhet të jenë kokë rebelësh shqiptarë.
Fotografia me formatin 13x18cm, me negativ në xham, tregon gjakftohtësinë me të cilin trajtohet një kokë e prerë. Jemi në një periudhë kur jeta njerëzore vlente pak, dhe humbja e jetës mund të shërbente dhe për të ruajtur një kujtim nëpërmjet një fotografie.
Artan Lamja do të interpretonte më mirë domethënien e kësaj fotoje, kostumet e ushtarëve, etj., ashtu si dhe mund të tregonte se kur kishte ndodhur kjo ngjarje.
Me gjasë ky ekspozim ka qenë pjesë e kulturës së terrorit mbi popullsitë. Akte të tilla makabre e tregojnë sa pak ka kushtuar jeta në atë kohë, dhe se mund të rrije qetësisht bashkë me vdekjen, madje të dilje dhe në foto, si duket nga imazhi më poshtë.