16 Nëntor, 2018 - 11:30 am
Raimonda Shundi rrëfen historinë e rrallë të tre vëllezërve tregtarë. Si u përballën ata, tre çam të sofistikuar me realitetin komunist, dhe vetësakrifikimi i njërit prej tyre për hir të vendasve të varfër.
Raimonda Shundi Dervishi
Ekonomisti i studiuar jashtë i transferosajuar si magazinier në Shqipëri ka një histori sa vetmitare aq edhe përgjithësuese për tu rrëfyer. I gjatë, i urtë, i mençur, zemërgjerë, beqar dhe super elegant. Çami që studioi ekonomi në vendin fqinj Itali; shpërngulja nga gjenocidi në Greqi e gjeti rreth të 30 vjeçar. Ky ishte Hamdiu, fati i të cilit e solli të vijonte jetën në Shqipërinë halleshumë. Tre vëllezërit e shkolluar jashtë (Francë, Itali), gjetën një Shqipëri konfliktuale dhe agresive (për shkak të politikave), sidomos ndaj tregtarëve dhe çamëve ne veçanti, të cilët ishin sefte në këtë vend. Çamët falë punës dhe kursimeve, së bashku me tragjedinë komunitare, sollën edhe traditën dhe pasuritë e tyre bashkarisht. Të trishtuar nga dhimbja në vendin ku lindën e sidomos nga braktisja e gjithçkaje që kishin krijuar deri në atë ditë, mbërritja në Shqipëri i bëri që të ishin nën vëzhgimin e pushtetit të ri Shqiptarë, si gjahu i preferuar, e për t’i zhvatur florinjtë e mbetur me kërcënimet apo presionet tipike proletare. Edhe në Greqi, mjete të tilla përdoreshin nga vendasit për t’u zhvatur para në këmbim të lirimit të familjarëve të burgosur. Por, i njëjti fat po i priste edhe në vendin e dytë.
Tre vëllezërit Zeqirjai, Resul Zeqirjai (pedagog historie në Universitetin e Tiranës), Hamdi Zeqirjai dhe Avdul Zeqirjai (më i madhi) ishin djemtë e lakmuar për të qenë pretendentët e dhëndurëve të ardhshëm për vajzat e ndrojtura Tiranase. Të studiuar, elegant, punëtorë dhe me klasin e europianit, vëllezërit po shihnin alternativat e jetesës në vendin e ri. Resuli, i cili studimet i kreu për histori në Francë e Itali, mundi të përfshihej në sistemin Akademik Shqiptar. Shkollën e mesme e kreu te “ Zosimea”, aty ku edhe Ismail Qemali kreu gjimnazin, për të vijuar më pas me shkollat perëndimore. Në Shqipëri fillimisht Resuli ishte një nga pedagogët e historisë në Universitetin e Tiranës, më pas në gjimnazin Qemal Stafa dhe në vitin 1965 në institutin Vojo Kushi. Ndërsa vëllezërit e tij nuk e patën kaq fat. Spostimi në Shqipëri e gjeti familjen Zeqirjaji (po jo vetëm) dhe djemtë në kushtet e një emigranti të studiuar me ambicie të projektuara në vendet e lira të zhvilluara, me status të mirë financiar dhe ëndrra e projekte të shumta për t’i realizuar. Florinjtë gjithmonë mbaheshin të fshehur për të mos u diktuar nga “miqtë” e rinj, pasi kjo do t’i çonte në konfiskim e në asgjë.
Gjatë kohës së studime në Itali, mundën të sjellin me vete edhe një makineri që bënte çorape e triko. Makinë e cila mundësoi edhe rritjen e të ardhurave në Shqipërinë e pak-gjësë. Shkolla ku vëllezërit punonin, nuk u jepte mjaftueshëm për të realizuar jetën që ata kishin bërë dhe dëshironin të jetonin. Kjo dopjo- jetë duhej bërë në fshehtësi, pa u diktuar nga pushteti sy-e-vesh popullorë. Shumë herë u spiunuan nga “miq” ziliqarë, por pasi u ndihmuan nga të tjerë miq, mundën t’ia hedhin. Disa herë ndërruan vendin e florinjve, e po kaq herë zhduknin makinerinë e çorapeve që mbathte Tiranasit, pasi rrezikohej jo vetëm konfiskimi por edhe dënimi (aktivitet privat). Resuli u martua më një familje me emër në Tiranë, por edhe ata ishin kulakë e si të tillë, të shënjestruar nga pushteti i ri popullorë. Avdiu u martua me një grua nga zona e tij dhe mundi të ishte pjesë e arsimit të cilkit të ulët, deri në spostimin në qytetin e Rrogozhinës si kuadër i specializuar. Kjo ishte metodë tipike e shpërndarjes së kuadrit në Shqipërinë e pak-shkolluar. Ndërsa Hamdiu ekonomisti zemër gjerë, nuk mundi të realizonte asgjë nga ato që pati planifikuar, madje edhe më keq se kaq: Vëllai i tij Resuli, pasi i shpëtoi disa herë kontrolleve në shtëpi për florinjtë e fshehur, në njërin prej tyre, u gjet i papërgatitur dhe u kap për t’u dënuar më pas me burg, pasi fillimisht i konfiskuan floririn e gjetur. Pedagogu mundi të dalë pas rreth një viti nga burgu, tashmë më i kujdesshëm se më parë. Ndërsa Hamdiu ekonomist, në Shqipëri bëri punën e magazinierit, ku furnizonte të gjithë vendin me zarzavatet dhe ushqimet e përditshme.
Hamdi Zeqirjai, heroi i heshtur
Nga këtu puna nis të bëhet problem. Si përgjegjësi kryesor mbi furnizimin me zarzavate të të gjitha dyqaneve, Hamdiu ndeshej shpesh me varfërinë dhe mos-pagimin e mallit të tërhequr nga magazinat qendrore, ndaj nisi të bënte një sy qorr e një vesh shurdh për të ndihmuar këtë kategori. Pra, nisi të ishte mik me shtresën më të pamundur. Por e mira e tij nxiti pëshpëritësit dashamirës të shtetit të ri; të vëzhgonin se çfarë ndodhte me produktet e pronës së përbashkët. Pasi dyshimet u vërtetuan, Hamdiu arrestohet dhe burgoset. Kur vëllezërit përpiqeshin të ndihmonin të vëllanë, ai i qetësonte duke i thënë: “Rrini rehat, nuk kamë lënë njëri nga pas”. Hamdiu që deri atëherë nuk mundi të krijonte histori sentimentale pasi stili dhe kërkesat e tij ishin specifike, kalimi i viteve bënë që ky hendek të thellohej, duke e izoluar më shumë nga ajo çka jetonte përditë. Vetmia dhe mendja e hapur bënë të krijonte botën e tij, të pacenuar nga pisllëku komunist. Shtëpinë e kishte tek sheshi “Çajupi”, përballë me ish-ekspozitën, në zonën pranë Bllokut. Kur e burgosën, është e njohur thënia e tij në gjyq, teksa familjarët tentonin t’i ulnin dënimin në këmbim të florinjve : “Unë dua ta bëj dënimin tim deri në fund, nuk kam bërë asgjë për të më falur askush. Njerëzit s’kanë të hanë dhe unë doja t’i ndihmoja. Ndërsa ai që më spiunoi, qoftë i mallkuar”. Dhe vërtetë; dënimi nuk iu ul dhe vdiq në burg rreth moshës 55 vjeçare. Ende nuk dihet a mbërriti mallkimi deri tek spiuni i tij./shekulli